Fermerët që kultivojnë patate dhe qepë në juglindje të vendit, prej disa muajsh tashmë, nuk kanë arritur të shesin produktet, pasi tregtarët e mëdhenj furnizohen jashtë vendit.

Gëzim Kreka nga fshati Orman i bashkisë së Maliqit shprehet se në shkurt nis sezoni tjetër i mbjelljes por sasia e madhe e mbetur stok, i bllokon punën.

 “Tregtarët na thonë se ka hyrë shumë mall nga jashtë edhe kjo bëri që të mos ecin shitjet për ne. Unë si fermer kam dy mijë kuintal patate pa shitur. Ne duhet ta shesim se bllokohemi, po afrohet sezoni tjetër i mbjelljes por në këto kushte ne nuk bëjmë dot asgjë.”, tha fermeri Gëzim Kreka.

Të njëjtin shqetësim kanë edhe Gurali Dautllari e Feim Vila, fermerë nga fshati Sovjan i bashkisë së Maliqit të cilët kultivojnë në sipërfaqe jo të vogla patate dhe qepë.

“Kemi filluar që në tetor se kjo është qepë e vonë por na konkurrojnë shumë ato që vijnë nga jashtë dhe nuk e kemi shitur. Ka shpenzime shumë të mëdha, nuk përballohet që të mbjellim më shumë. Punëtorët kërkojnë të paguhen më shumë. Doganën nuk e mbyllin dot por të marrin disa masa, të shesim edhe ne.”, deklaroi fermeri Gurali Dautllari.

“Tetë dynym kisha mbjellë unë, tani aty i kam..nuk ka ardhur ndonjë tregtar që të marrë me shumicë. Të gjitha çmimet janë rritur. Ka hyrë malli nga jashtë.”, shtoi fermeri Feim Vila.

Vetëm në fushën e Maliqit ka më shumë se 1400 hektarë të mbjellë me patate dhe qepë, që në total nga të dy kulturat bujqësore prodhohen më shumë se 41 ton.

Deri para pak kohësh një kilogram patate është shitur me 50 lek për kg, po aq sa është shitur edhe qepa./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *