Më herët gjatë 21 nëntorit, Kievi tha se Rusia e kishte sulmuar me një raketë balistike ndërkontinentale, teksa Moska kreu një sulm masiv me raketa në Dnipropetrovsk.
Raketat balistike ndërkontinentale janë të dizajnuara që të kryejnë sulme bërthamore nga distanca të largëta. Armë të tilla nuk janë përdorur më herët në luftën që Rusia e nisi kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
“Mëngjesin e 21 nëntorit, trupat ruse sulmuan qytetin Dnipro me lloje të ndryshme raketash. Veçmas, një raketë balistike ndërkontinentale u lëshua nga rajoni Astrakan i Federatës Ruse”, thanë Forcat Ajrore ukrainase.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha përmes Telegramit se arma e re ruse “kishte të gjitha karakteristikat: shpejtësinë, lartësinë e një rakete balistike ndërkontinentale”.
Një zyrtar amerikan, që foli për Reuters në kushte anonimiteti, tha se Rusia kishte përdorur një armë të re me rreze të mesme veprimi. Ai tha se Uashingtoni e kishte informuar ditëve të fundit Kievin se Rusia mund ta përdorë këtë raketë të re për ta sulmuar Ukrainën.
Sulmi rus ndodhi disa ditë pasi u raportua se Ukraina ka përdorur raketat britanike Storm Shadow, dhe ato amerikane ATACMS, për të sulmuar caqe ushtarake thellë brenda Rusisë, pasi presidenti amerikan, Joe Biden, dha lee për sulme të tilla.
Analistët ushtarakë thanë se raketat balistike ndërkontinentale mund të klasifikohen si raketa me rreze të mesme veprimi kur ngarkesa e tyre rritet, por rrezja e veprimit të tyre zvogëlohet./rel





