Nga data 9 gusht, qëkurse u mbajtën zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi, vijojnë protestat antiqeveritare në të gjithë vendin. Forcat e sigurisë nuk e kanë kursyer dhunën në asnjë rast ndërsa mijëra mbështetës të opozitës janë arrestuar.

 

Në mesin e këtyre zhvillimeve, presidenti Aleksandër Lukashenko kërkon mbështetjen e Rusisë. Në një takim me presidentin rus Vladimir Putin në Soci, Lukashenko arriti të sigurojë një hua prej 1.5 miliardë dollarësh.

 

Takimi zgjati rreth katër orë, ndërsa të dy presidentët ranë dakord edhe për të rritur bashkëpunimin tregtar si dhe furnizimet e energjisë.

 

VLADIMIR PUTIN, PRESIDENT I RUSISE

“Ne duam që vetë bjellorusët, pa nxitje dhe presion nga jashtë, ta zgjidhin këtë situatë në një mënyrë të qetë dhe përmes dialogut të gjejnë një zgjidhje të përbashkët. Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes midis Rusisë dhe Bjellorusisë do të vazhdojë.”

 

Moska po dërgon parashutistë në Bjellorusi për manovrat e përbashkëta “Vëllazëria Sllave”. Autoritetet bjelloruse vetëm të dielën kanë arrestuar me shumë se 700 persona. Komisioni i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut do të zhvillojë një debat urgjent mbi dhunën në Bjellorusi, këtë të premte.

 

Opozita dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë deklaruar se zgjedhjet janë manipuluar. Protestuesit bjellorusë kërkojnë dorëheqjen e presidentit Lukashenko dhe mbajtjen e zgjedhjeve të drejta e të lira.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *