Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, zhvilluan një bisedë telefonike ku diskutuan situatën në Lindjen e Mesme, me theks të veçantë te zhvillimet në Iran, njoftoi shërbimi për shtyp i Kremlinit.
Sipas deklaratës zyrtare, Putin theksoi se stabiliteti dhe siguria në rajon duhet të garantohen përmes rrugëve diplomatike, duke nënvizuar se Rusia është e gatshme të luajë rol ndërmjetësues në dialogun përkatës. Dy liderët ranë dakord të mbajnë të hapura kanalet e komunikimit dhe të vijojnë kontaktet mes tyre. Biseda e fundit mes tyre ishte zhvilluar më 15 nëntor.
Kjo komunikatë vjen në një kohë tensionesh të shtuara në Iran, ku në fund të vitit të kaluar shpërthyen protesta për shkak të zhvlerësimit të ndjeshëm të rialit iranian, i cili solli rritje çmimesh dhe paqëndrueshmëri ekonomike.
Që nga 8 janari, protestat janë përshkallëzuar më tej, pas thirrjeve të Reza Pahlavit, djalit të ish-shahut të rrëzuar në vitin 1979, i cili ka bërë apel për grevë të përgjithshme, bllokim të rrugëve dhe objekteve strategjike, si dhe për ndërhyrje ndërkombëtare. Sipas burimeve, ai i është drejtuar edhe presidentit amerikan, Donald Trump, për përfshirje në zhvillimet në Iran.
/vizionplus.tv





