Zbulohet një punishte armësh në kryeqytet. Sipas policisë, ajo i përket një 30- vjeçari që u vu në pranga në flagrancë duke lëvizur me silenciator të bërë gati për qitje.
Pas arrestimit të Haxhi Nezajt, uniformat blu ranë në gjurmët e punishtes në zonën e Kombinatit ku prodhoheshin silenciatorë për armë të ndryshme.
Dyshimet janë që armët u shiteshin personave të ndryshëm për kryerje të krimeve kundër personit dhe pronës.
Nga operacioni u sekuestruan armë zjarri me silenciator, një armë zjarri pushkë, municion luftarak, doza kokaine, maska që mund të përdoreshin nga anëtarët e grupeve kriminale, leva dhe sende të tjera të paligjshme.
Policia nuk ka mundur të identifikojë se cilët kanë qenë personat që kanë blerë armë në këtë punishte dhe për cilat ngjarje kriminale janë përdorur.
Hetimet e mëtejshme pritet të hedhin më shume dritë rreth bashkëpunëtoreve të mundshëm të 30-vjeçarit të arrestuar.
/vizionplus.tv





