Deputetja e Partisë Socialiste, Bora Muzhaqi, së bashku me Igli Hasanin dhe Milva Ekonomin do të mbulojnë njësinë 8 në Tiranë, sa i përket zgjedhjeve të pjesshme lokale të 9 Nëntorit.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve ne televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, Muzhaqi u shpreh se puna e PS vijon çdo ditë, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që kufizon fushatën zgjedhore.
Deputetja tha se angazhimi në terren me qytetarët është detyrë e përditshme e socialistëve, ndërsa nënvizoi nevojën për rikthimin e menjëhershëm të një kryetari në krye të Bashkisë së Tiranës, duke mbështetur kandidaturën e Ogerta Manastirliut.
Muzhaqi foli gjithashtu për përdorimin e teknologjisë në politikë, duke pranuar me humor se ChatGPT është një shok i mirë që ndihmon në punë.
INTERVISTA E PLOTË:
A mund të konfirmoni zonja Muzhaqi pra se puna, fushata vijon aktualisht në Tiranë?
Muzhaqi: Sigurisht që puna e Partisë Socialiste vijon çdo ditë, jo vetëm kur ka fushatë, kështu që patjetër që jemi në terren gjatë gjithë kohës.
Edhe pse Gjykata Kushtetuese është shprehur dhe ligjërisht fushata nuk do duhej të vazhdonte apo jo? Si e keni kuptuar ju vendimin e Gjykatës Kushtetuese?
Muzhaqi: Mendoj që kur vjen puna te Gjykata Kushtetuese, gjithë kolegët që kanë gjithë eksperiencën e duhur jurisprudente, patjetër që mund të shprehen nga ana teknike. Por për sa i përket punës tonë, ne kemi vetëm një kandidate, kemi vetëm Ogerta Manastirliun dhe si parti jemi gjatë gjithë kohës në terren me qytetarët, qoftë duke u interesuar për problematikat që ata kanë, por edhe për çështjet që ne duhet të ndjekim. Është detyra jonë si deputet, edhe patjetër që tashmë edhe me forca të shtuara, përsa i përket zonës së Tiranës, për të qenë të gjithë në gatishmëri. Një kryeqytet është vendi më i rëndësishëm dhe patjetër që është dhe detyra jonë për të qenë në krye të fushatës në thonjëza, sepse ne jemi çdo ditë në krye të fushatës. Kështu që pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ne vijojmë punën që në momentin që do të ketë zgjedhje patjetër që do të jemi të përgatitur dhe në krye të detyrës.
Ju keni bërë më herët fushatë në Elbasan ku dhe jeni zgjedhur deputete apo jo? Në Tiranë cilat janë problemet apo shqetësimet që ju jeni duke dëgjuar nga takimet që po zhvilloni këto ditë, të asaj që ju e realizoni si fushatë zgjedhore?
Muzhaqi: Po në fakt unë kam qenë e angazhuar më herët në zonën e Librazhdit dhe Prenjasit. Tashmë jam rikthyer në Tiranë. Problematikat e kryeqytetit janë të ndryshme nga ato të një zone malore që unë kam përfaqësuar më herët. Problematikat, për të qenë shumë të sinqertë, është mungesa e një kryetari në detyrë. Pra vështirësira të shumta gjatë kësaj periudhe janë shfaqur nga qytetarët, qoftë nga ofrimi i shërbimeve që nuk kanë qenë në të njëjtën cilësi si më herët, por edhe nga ato angazhimet e përditshme, qoftë problematikat e parkimit, problematikat e ndriçimit, problematikat e rrugëve, infrastructures, një sërë problematikash që sigurisht duket mungesa e një kryetari bashkie. Prandaj është e nevojshme menjëherë që ne të kemi dikë në krye të bashkisë së Tiranës dhe sigurisht që të kemi Ogerta Manastirliun në krye të bashkisë së Tiranës. Jam shumë e gëzuar në fakt që nga të gjithë takimet që kemi realizuar me qytetarët është shprehur një gatishmëri shumë e madhe qoftë për kandidaturën që Partia Socialiste ka përzgjedhur. Vjen kjo edhe sigurisht falë gjithë eksperiencës që Ogerta ka pasur, gjithë aftësive që ka treguar në fushën menaxheriale. Qytetarët e kanë vënë re qoftë në detyrën e saj si ministre e shëndetësisë, në detyrën e saj si ministre e arsimit. Me thënë të drejtën, na kanë pritur qytetarët krah hapur dhe ka qenë shumë e thjeshtë të shkosh të flasësh me ta për problematikat. Janë vërtetë besimplotë që Ogerta do të ishte personi i duhur në krye të bashkisë së Tiranës që do arrinte të realizonte dhe këto detyra apo këto problematika që gjatë këtij viti që nuk ka pasur një kryetar bashkie në fuqi të plotë, patjetër që janë vënë re nga qytetarët dhe duhet ajo shtysa e nevojshme për të pasur dikë në krye të bashkisë së Tiranës.
Zonja Muzhaqi, dikur në mos gaboj keni thënë që një shok i juaj i afërt është ChatGPT-ja dhe ju e konsultoni sa herë flisni në publik dhe në rastet e ngjashme. Shpresoj se nuk jeni konsultuar për këtë intervistë të shkurtër me ne.
Muzhaqi: Me thënë të drejtën, besoj që çdo njeri, sidomos në kohën kur ne jetojmë, duhet patjetër të konsultohet me të gjitha mjetet teknologjike që ka në dispozicion. Dikur kompjuteri shihej si diçka e çuditshme apo e habitshme dhe ata që përdornin kompjuterin shiheshin si njerëz të çuditshëm. Në kohët që jemi sot ChatGPT-ja duket si diçka e çuditshme, por besoj shumë shpejt jo vetëm unë, por çdo njeri në Republikën e Shqipërisë, por dhe në të gjithë botën do fillojë të përdorë GPT-në. Kam parë edhe kolegë shumë më të vjetër në parlament që kanë filluar ta përdorin. Gjë e mirë kjo sepse sigurisht duke hequr disa nga detyrat e vogla manuale që të bën ChatGPT-ja, njeriu mund të përqendrohet në detyra pak më të mëdha që kërkojnë pak më shumë mendim kritik edhe pak më shumë aftësi. Kështu që patjetër, edhe nëse do isha konsultuar, do ishte gjë e mirë besoj.
/vizionplus.tv





