Analisti Ergys Mërtiri tha se fundi i Erion Veliajt ka ardhur që ditën që u arrestua, jo kur u shkarkua nga posti si kryebashkiak.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, të moderuar nga Roland Zili, Mërtiri nënvizoi se në kampin socialist nuk sheh asnjë kandidaturë të duhur, pasi sipas tij, kryebashkiakët vazhdojnë projektet e Ramës, jo të tyret.
Sipas analistit, Partia Demokratike ka zero shanse të ngrihet dhe të bëjë një përmbysje në garën për bashkinë e Tiranës.
INTERVISTA E PLOTË:
Si e shikoni ju shkarkimin e sotëm nga qeveria të Erion Veliajt? A mund të quhet ky moment fundi politik i kryebashkiakut?
Mërtiri: Nuk e shoh kështu. Mendoj se fundi politik i kryebashkiakut ka ardhur në momentin që u arrestua. Gjithçka tjetër është proces që do bëjë të vetën deri në fund. Arrestimi i z. Veliaj bëhet fjalë për një dosje me 4 akuza penale. Këtu z.Veliaj e ka mbyllur rrugëtimin e tij politik dhe arsyeja që ai nuk ka dhënë dorëheqje, ka qenë për ta përdorur postin, si instrument shantazhi kundrejt prokurorisë për të penguar hetimet ndaj tij.
Ogerta Manastirliu është emri i PS për Tiranën, çfarë mendoni ju për këtë kandidaturë?
Mërtiri: Nuk shoh në kampin socialist ndonjë kandidaturë të duhur, për një arsye themelore që është zoti Rama aty. Rama do zgjedhë një person, për të çuar përpara projektin e Ramës. Edhe Veliaj nuk ka pasur projekt të tij, por ka çuar përpara projektin e Ramës, që është projekt me kulla, me Tiranë pa hapësira, me trafik, pa mundësi, pa infrastrukturën e duhur. Ndaj cili do që të jetë, do jetë një kandidaturë e papërshtatshme për Tiranën.
Në kampin tjetër figura të rëndësishme si Jorida Tabaku apo Ilir Alimehmeti nuk janë nxituar të pranojnë, madje mund të thuhet se po refuzojnë të kandidojnë për Tiranën. Përse sipas jush ka një stepje apo konfuzion në radhët e PD për këtë çështje?
Mërtiri: Kjo tregon krizën e thellë ku është futur partia, ai në asnjë parti tjetër më parë. Opozita nuk gjen kandidatë për t’i dalë para partisë në pushtet. Shpresat që kjo parti të ngrihet dhe të bëjë një përmbysje janë pothuajse zero. Askush nuk do të vërë imazhin e tij në një humbje të garantuar dhe të thellë.
A do të arrijë Berisha të bashkojë faktorin opozitar në garën për Tiranën?
Mërtiri: Nuk është as i aftë ta bashkojë, por s’ka as vullnetin ta bashkojë. Berisha e tregoi në kodin elektoral që bëri në zgjedhjet e 11 majit, kod që u bë për të përçarë opozitën. Edhe këtë herë Berisha, ka mundësi nëse pranon një kandidaturë të zgjedhur nga një palë tjetër dhe ta mbështesë, mund të prodhojë një efekt. Por ai nuk do ta bëjë këtë. Nuk është interesi i Berishës të mundë Ramën, por ka interesat e veta personale.
/vizionplus.tv





