Protestuesi 19-vjeçar theu këmbën, pezullohen 4 efektivët dhe shefi i Komisariatit Nr. 1

Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra katër punonjës policie dhe shefin e Rendit në Komisariatin Nr. 1, pas publikimit të një videoje ku shfaqet një 19-vjeçar i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga efektivët pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital.
Përmes një reagimi zyrtar, Policia bëri të ditur se ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën e trajtimit të të riut nga punonjësit e saj.
Gjithashtu, është ngritur një grup i posaçëm për të analizuar veprimet e punonjësve të Policisë nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe për të verifikuar zbatimin e procedurave standarde të punës. Sipas Policisë, çdo punonjës që rezulton se ka shkelur procedurat ose ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.
Reagim i Policisë së Shtetit:
Në lidhje me videon e publikuar në media, ku shfaqet 19-vjeçari L. B., i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga punonjësit e Policisë pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital për ndihmë mjekësore, Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën e trajtimit të tij nga punonjësit e Policisë.
Pavarësisht verifikimeve të nisura, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre.
Gjithashtu, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, është ngritur një grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës. Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.
Policia e Shtetit thekson se aktet e dhunshme të shfaqura prej orësh në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës, nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë.
Policia e Shtetit u bën thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune e shkatërrimi t’i ndalin menjëherë, pasi do të përballen me forcën e ligjit.
Gjithashtu, Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm, për të garantuar sigurinë e tyre.




