Subscribe

Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi ka mohuar pretendimet e maturantëve për tezën e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë se pyetjet e formuluara ishin jashtë programit.

Gjatë një prononcimi për mediat, Vrapi deklaroi se pyetjet janë verifikuara, ndërsa shtoi se testi u bë vetëm me alternativa për arsye korrigjimi, për shkak të pandemisë.

 “Pretendimi i tyre qëndron në lidhje nëse ka pyetje jashtë programit në test dhe dua të bëj me dije se asnjë pyetje nuk është jashtë programit. Ne kemi verifikuar një për një që para se të bëhej testi. Dua të bëj me dije se mënyra si bëhen pyetjet ka një procedurë rreptësisht të rregullt. Një nga veçoritë e këtij procesi është niveli i vështirësisë së testit. Ne ndjekim procedura të përcaktuara në metodologjinë tonë, që kanë lidhje me nivelin e vështirësisë. Teza kalon në dy duar, që mbajnë përgjegjësi për anën shkencore dhe strukturore të testit. Nëse kanë pretendime për pyetje konkrete, se deri tani nuk kanë asnjë pyetje konkrete.”

Ajo theksoi se nuk do të ketë asnjë mundësi rivlerësimi, me arsyetimin se testi nuk ka asnjë gabim shkencor.

“Ky ishte një detaj që MSH e mori në konsideratë për të ruajtur shëndetin e njerëzve. Këto pyetje janë të mira, sepse masin nivelin e nxënësve, por patjetër që ato nuk mund të vlerësojnë të menduarit kritik. Për këtë, u caktuan disa pyetje, që masin pikërisht njohuritë mbi esetë. Procesi nuk ka përfunduar ende, do bëjmë analizën, pastaj shpalljen e rezultateve. Nuk ka mundësi rivlerësimi, pasi testi nuk ka asnjë gabim shkencor. Ata nuk janë drejtuar me një pretendim të tillë për pyetje. Pas datës 18 qershor ne do të bëjmë shpalljen e rezultateve, edhe testi, edhe alternativa, që ata kanë zgjedhur për pyetje të caktuara do të bëhen publike.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *