Opozita do të zhvillojë ditën e premte protestën e parë para Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një konference me gazetarët deklaroi se do t’i bashkohet thirrjes së aleatit të tij tashmë të arrestuar, Ilir Meta, për të protestuar më 6 dhjetor para SPAK-ut.
“Ata çdo lloj proteste e meritojnë dhe stërmeritojnë. Protesta para organeve të diktaturës, institucionet e diktaturës janë të ligjshme, të një rëndësie jetike, janë elementë thelbësorë të betejës për përmbysjen e saj”, tha Berisha.
Lexo edhe :
Related Posts
Sipas kryetarit të PD, Berisha protesta kundër SPAK-ut legjitimohet për shkak se Prokuroria e Posaçme, sipas tij, nuk po heton dosjet e krimit, duke iu referuar vrasjes së ndodhur ditën e dielë në Ndroq, vrasje të cilën dyshohet se e kreu kunati i Altin Hajrit.
“Dedja, kishte qenë menaxher i lokalit të Altin Hajrit. Imagjinoni ju një moment, njeriu që e kishte liruar nga burgu këtë Julian Gjoshin, që kishte ngritur shtetin në këmbë për ta liruar, tani e urdhëron në një akt in-ekstremis, të vrasë në publik dëshmitarin e vetëm të mundshëm të copëtimit makabër të trupit të Jan Prengës”, tha Berisha.
Për të mbështetur akuzën se SPAK-u nuk heton krimin, Berisha shfrytëzoi edhe një pjesë të dosjes hetimore për ish-deputetin socialist, Jurgis Çyrbja. Sipas hetimeve të Prokurorisë, në vitin 2021 Altin Hajri kërkoi ndihmën e ish-deputetit Jurgis Çyrbja për të liruar kunatin e tij, të njëjtin që dyshohet se kreu dje vrasjen në Ndroq.
“Kur unë u kam thënë se Altin Dumani fle mbi dosjet e krimit, lexojeni pak e më thoni a nuk fle ai mbi dosjet e krimit apo nuk flen. Se dy kostume do ia bëjmë këtij Olsit, dy kostume të bukura, merrja masat, e porosit këtë Çyrbjen. Kush janë këta? Apo janë sekret se je i implikuar Altin Dumani”, deklaroi Berisha.
Berisha korrigjoi informacionin që publikoi një ditë më parë pas përgënjeshtrimit nga SPAK, duke sqaruar se emri që përmendet në dosjen e SPAK-ut që Altin Hajri do t’i porosiste kostume nuk është prokurori Olsi Dado, por një prokuror tjetër./vizionplus.tv







