Protesta e djeshme në Tiranë, 4 të arrestuar! Një person gjobitet me 5 mln lekë

Katër persona në pranga, shtatë të tjerë nën hetim dhe 12 gjoba administrative. Ky është bilanci i ndëshkimeve të policisë pas protestës së Partisë Demokratike dhe e të rinjve, protestë që u shoqërua me akte dhune në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, edhe në protestën e së shtunës protestuesit u përplasën me blutë, sulmuan efektivët me gurë, sende të forta dhe lëndë piroteknike, bllokuan rrugët dhe dogjën kazanë mbeturinash. Në pranga kanë rënë Kevin Ndrevataj, Muhamet Karaj, Blerdjan Murati dhe Zef Nika.
Gjatë kontrollit fizik të Kevin Ndrevatajt, policia shprehet se i ka gjetur lëndë narkotike të llojit kanabis dhe një send metalik shpues. Ndërsa në banesën e tij janë sekuestruar një send imitues i armës së zjarrit dhe 50 sfera metalike. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe mjete të tjera të dyshuara për përdorim në akte dhune.
Paralelisht me arrestimet, Policia ka nisur edhe goditjen në aspektin administrativ. Plot 12 masa janë vendosur në bazë të Aktit Normativ, ndërsa njëra prej tyre arrin vlerën e 500 mijë lekëve, gjoba e parë në vlerën maksimale parashikuar sipas Aktit Normativ.
Kjo gjobë i është vendosur një protestuesi, i cili, sipas Policisë, i maskuar me kapuç, ka qëlluar me gurë në drejtim të efektivëve dhe godinës së Kryeministrisë. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të uniformave blu për të ndaluar aktet e dhunshme dhe për t’u shpërndarë, ai ka vijuar veprimet.
Policia dhe Prokuroria po vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se morën pjesë në aktet e dhunshme.




