Propozimi i qeverisë për ndryshimin e Kodit Penal, në burgun e Reçit vetëm 10 persona janë subjekt i SPAK nga 225 të dënuar

Nga 225 persona që ndodhen në paraburgim në burgun e Reçit, vetëm 10 prej tyre janë për krim të organizuar dhe korrupsion. Këto shifra u sollën në vëmendje nga kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mediat, Jorida Tabaku, e cila kundërshtoi argumentet e mazhorancës për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, sa i takon masës së sigurisë “arrest në burg”.
“Kjo nuk vjen e izoluar, por në një sërë vizitash që do të vijnë me një raport, por edhe në një moment kur qeveria ka propozuar Kodin e ri të Procedirës Penale, duke përdorur si justifikim situatën e paraburgimit. Në këtë burg ka 225 të paraburgosur, dhe vetëm 10 prej tyre është për krimin e organizuar. E gjithë retorika e qeverisë bie sepse raporti i paraburgimit është 2-3% që vjen si subjekt i SPAK. Kemi qenë në Durrës, Tiranë, Kavajë, Lezhë, Fierin dhe do vazhdojmë me Pojskën në Pogradec. Do hartojmë një raport dhe do e shohim edhe në prizmin e ndryshimeve ligjore. Nuk ka prioritet më të madh se lufta ndaj krimit të organizuar. Jam e shqetësuar për trajtimin e të drejtave të njeriut”, tha Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mediat
Tabaku theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon vullnet politik të qëndrueshëm, ndërsa përdorimi i masës së arrestit në burg duhet të vlerësohet edhe në raport me të dhënat konkrete të paraburgimit.
Deklaratat u bënë pas një vizite monitoruese në burgun e Reçit, ku anëtarët e komisionit, në bashkëpunim me përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Avokatit të Popullit dhe OSBE-së, u njohën me kushtet dhe trajtimin e të paraburgosurve. Monitorimi do të vijojë edhe në institucione të tjera penitenciare, ndërsa në përfundim do të hartohet një raport dhe do të paraqiten propozime për problematikat e evidentuara dhe ndryshimet ligjore.




