Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po avancon drejt përdorimit të Inteligjencës Artificiale në të gjithë procesin e prokurimeve publike, duke ulur ndërhyrjen e njeriut dhe rritur efikasitetin e procedurave.
Rama theksoi se platforma “Diella” ka marrë vëmendje ndërkombëtare dhe është konsideruar fenomen botëror, duke rivalizuar edhe figura të njohura si Angelina Jolie në aspektin e ndikimit dhe interesit që ka krijuar. Megjithatë, ai pranoi se ka skeptikë, të cilët shprehin shqetësimin se algoritmet mund të jenë të kontrollueshme dhe të manipulueshme, siç ka ngritur edhe Eric Schmidt.
“Sot ne jemi në një proces të avancuar për të kaluar të gjithë procesin e prokurimeve në duart e Inteligjencës Artificiale, në një përqindje shumë të lartë të një procesi që nuk përfshin njeriun.
“Diella” është bërë një fenomen botëror dhe është një grua që, për nga interesi që ka shkaktuar në gjithë botën, ka konkurruar edhe me Angelina Jolie. Gjithsesi, ka skeptikë që sipas tyre algoritmet mund të kthehen në një problem, pasi janë të kontrollueshme dhe të manipulueshme.
Erik Shmit ngre si shqetësim këtë aspekt.
Ajo që unë kam mësuar duke e ndjekur këtë proces është se prokurimet janë një fushë ku njerëzit që merren me to duhet të kenë një nivel shumë të lartë përgatitjeje. Nuk janë procese që mund të bëhen dhe komentohen me kollajllëkun mediatik të atyre që marrin përsipër ta bëjnë këtë.
Sfida jonë ka qenë dhe mbetet e jashtëzakonshme.”, u shpreh kryeministri.
/vizionplus.tv





