Presidenti Ilir Meta iu është përgjigjur në një konferencë për mediat akuzave të kryeministrit Edi Rama, i cili deklaroi se kreu i shtetit është shkaktar i bllokimit të vazhdimit te investimit për rehabilitimin e 11 kilometrave rrugë nga tuneli deri në Radhim e mandej në Orikum.

Presidenti u shpreh se ka qenë vetë qeveria shqiptare që i ka kërkuar Fondit Saudit të Zhvillimit që të ndërpresë marrëveshjen për financimin e kësaj rruge.

“Shpifjet dhe gënjeshtrat e kryeministrit në detyrë nuk meritojnë vëmendje të rëdësishme. Kuvendi i Shqipërisë, më 9 nëntor 2017, ka ratifikuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Fondit Saudit për rrugën e Lumit e Vlorës. Presidenti menjëherë e ka mirëpritur këtë iniciativë dhe ka shpallur dekretin brenda dy ditësh. Kuvendi më 21 shtator 2020 i ka përcjellë presidentit ligjin për denoncimin e kësaj marrëveshjeje. Ky ligj është miratuar në seancën plenare më 17 shtator dhe presidenti e shpalli menjëherë më 22 shtator. Presidenti shqyrtoi me vëmendje praktikën, nga ku rezultoi se qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Financave, i kishte kërkuar Fondit Saudit për Zhvillim zgjidhjen e marrëveshjes së huasë. “Pranojmë të përfundojmë, të zgjidhim marrëveshjen, me vendimin e bordit. Në këtë mënyrë, marrëveshja e huasë ndërpritet që prej datës 29 dhjetor”, thuhet në përgjigjen e Fondit Saudit. Pra, është e qartë që Fondi Saudit ka pranuar të zgjidhë këtë marrëveshje. Kjo ndërprerje për financimin e projektit të Lumit të Vlorës, me gjatësi prej 16.4 km, është bërë me kërkesë të qeverisë shqiptare dhe jo të palës tjetër”, tha Meta.

Ai u shpreh mes të tjerash se ka vënë në dijeni katër herë Ramën dhe s’ka marrë asnjë përgjigje prej tij si Ministër i Jashtëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *