Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi e shef programin elektoral të PD si një paketë që do të nisë konkurrencën politike. Gjatë një interviste për emisionin “Quo Vadis në “Vizion Plus”, Preci deklaroi se demokratët “servirin” edhe program elektoral, por edhe politiko-qeverisës.

 

“Përgjithësisht, do të bëjë dallimin midis një programi elektoral, pra që synon të tërheqë zgjedhës dhe t’ju parashtrojë akset kryesore mbi të cilat mbështetet qeverisja nëse vjen në pushtet. Dhe programi politiko-qeverisës, i cili është programi që miratohet nga mazhoranca e re në Kuvend, i cili ka këto akse, por tashmë të kthyera në politika të caktuara ekonomike, fiskale, etj. Në këtë këndvështrim, programi i paraqitur nga PD-ja i përmban të dyja. Është para së gjithash një program politik por që synon të portretizojë problematikën që ka shoqëria e sotme shqiptare, si varfëria, polarizimi social, shpopullimi, problemet e moshës së tretë, problemet e papunësisë, problemet që përgjithësisht janë evidente për çdo anëtar të shoqërisë. Kështu që në këtë këndvështrim unë e shoh si një hap përpara në synimin e krijimit të konkurencës politike dhe për mos t’u marrë me çështje folklorike si timoni, tepsia, etj..”

 

Zef Preçi komentoi edhe premtimin e PD për të zëvendësuar taksën progresive me taksën e sheshtë. Sipas tij, kjo gjë do të “thithë” investimet në Shqipëri si edhe do të luftojë evazionin fiskal.

 

“Vendet që aplikojnë taksën e sheshtë janë më tërheqëse për investimet dhe njëkohësisht krijojnë terren për t’i ulur bizneset në një start të barabartë. Si ata që kanë vite apo dekada në treg, ashtu dhe ata që futen për herë të parë. Për të mos thënë tjetër pastaj që përdorimi i taksës së shteshtë, vendos një ekuilibër që mundëson minimizimin e evazionit fiskal, fshehjes së taksave dhe përdorimit të mekanizmave ligjor. Sepse sot, p.sh., ndodh një situatë paradoksale, ku biznesi i vogël mbetet gjithmonë i vogël dhe i mesëm gjithnjë i mesëm. Nuk rritet biznesi! Pikërisht sepse përdoren këto mekanizma të klasifikimit apo kategorizimit të bizneseve, për tu shmangur në mënyrë disi të ligjshme taksave. Pa fol pastaj për tjetrën, që problematika lidhet me kalimin nga një shkallë e biznesit tek tjetra. Kështu që mendoj se një start i barabartë i biznesit dhe njëkohësisht i të ardhurave që sigurojnë qytetarët nga pasuria apo nga aktivitete të tjera, kuptohet që e bënë më atraktiv vendin dhe e bënë më të krahasueshëm edhe me vendet e rajonit”, u shpreh Zef Preçi për “Vizion Plus”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *