Gërhitja, dremtitja për një kohë të gjatë, zgjimi gjatë natës dhe gjumi për më pak apo më shumë orë nga ç’është e rekomanduar pesëfishojnë rrezikun e goditjeve në tru. Këtë tregon studimi i ri i publikuar ditën e mërkurë në revistën “Neurology”.

 

“Gjetjet janë në përputhje me hulumtimet e mëparshme që lidhin gjumin e pashëndetshëm me presionin e lartë të gjakut dhe dëmtimet e enëve të gjakut, të cilët janë faktorë rreziku për goditje në tru. Gjumi i keq mund të sjellë hipertension i cili është një faktor i rëndësishëm rreziku për goditjet në tru dhe sëmundjet kardiovaskulare. Në studime të tjera kemi parë një marrëdhënie të ngjashme edhe midis gjumit dhe çrregullimeve si diabeti dhe demenca,” tha specialistja e gjumit Kristen Knutson, profesore në Shkollën Feinberg të Universitetit Northwestern.

 

Studimi ndërkombëtar analizoi të dhënat e më shumë se 4,500 njerëzve që morën pjesë në “INTERSTROKE”. Gati 1800 pjesëmarrës kishin përjetuar goditje ishemike. 439 persona të tjerë kishin hemorragji intracerebrale, në të cilën arteriet ose venat në tru çahen duke shkaktuar gjakderdhje në indet e trurit. Këta pjesëmarrës u krahasuan sipas moshës dhe gjinisë me njerëzit që nuk kishin histori të goditjes në tru dhe të dy grupet iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me cilësinë e gjumit.

 

Rezultatet treguan se njerëzit që flinin mesatarisht më pak se pesë orë në natë kishin tre herë më shumë gjasa për të pasur një goditje në tru sesa ata që flinin shtatë orë, minimumin e rekomanduar për të rriturit. Nga ana tjetër, gjumi për më shumë se nëntë orë në natë ishte i lidhur me një rritje të dyfishtë të rrezikut të goditjes. Njerëzit që gërhisnin kishin 91% më shumë gjasa të kishin pësuar një goditje në tru. Dremitja ishte po ashtu një faktor rreziku pasi njerëzit që dreminin mesatarisht më shumë se një orë në ditë kishin 88% më shumë gjasa të pësonin një goditje.

 

Si mund të bëjmë një gjumë më të shëndetshëm?

 

1.Është e rëndësishme të flini të paktën 7 orë në ditë si dhe të shkoni në shtrat dhe të ngriheni nga gjumi në të njëjtin orar.

 

2.Ekspozimi i rregullt ndaj dritës në mëngjes dhe pasdite mund të përmirësojë cilësinë e gjumit.

 

3.Dhoma e gjumit duhet të përdoret vetëm për gjumë dhe intimitet. Pra, mos qëndroni atje për të parë televizor ose të lexoni libra.

 

4.Mos pini alkool ose hani të paktën tre orë para gjumit për të shmangur shqetësimet gastrike që mund t’ju zgjojnë gjatë natës.

 

5.Është e rëndësishme të ushtroheni në mëngjes si dhe të mbani një regjim ushqimor të shëndetshëm./Living/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *