Tentimi i 29 gushtit për nisjen e raketës së re të NASA-s drejt Hënës është anuluar për shkaqe teknike.

Ekipi i inxhinierëve të NASA-s nuk ka arritur të rregullojë një problem një njërin prej motorëve të raketës të quajtur Space Launch System (SLS), pasi në të kishte rrjedhje të karburanteve.

 

Data tjetër e nisjes së raketës mund të jetë 2 shtatori, por ekipi i NASA-s do të vlerësojë se cila do të jetë koha më e përshtatshme për nisjen e raketës.

SLS është mjeti më i fuqishëm që ka zhvilluar ndonjëherë NASA dhe do të jetë themeli i projektit të saj, Artemis, që synon të dërgojë njerëzit në sipërfaqen hënore pas 50 vjetësh.

 

Raketa ishte paraparë që të nisej nga Qendra Hapësinore Kennedy në Shtetet e Bashkuara.

Kjo raketë mëton që të dërgojë një kapsulë testuese, të quajtur Orion, shumë larg nga Toka.

Anija kozmike synon që të rrotullohet rreth Hënës në një hark të madh dhe pas gjashtë javësh do të kthehet në Tokë dhe pritet të zbresë në Oqeanin Paqësor.

 

Kapsula Orion nuk do të ketë ekuipazh në këtë rrugëtim, por nëse hardueri funksionon siç duhet, astronautët më pas do të mund të ngjiten në bordin e saj në misionet e ardhshme dhe më komplekse, që pritet të nisin nga viti 2024.

“Gjithçka që po bëjmë me këtë fluturim të projektit Artemis I, është se ne po shikojmë se çfarë mund të vërtetojmë dhe çfarë mund të demonstrojmë që të zvogëlojmë rrezikun e misionit me ekuipazh Artemis II”, tha astronauti i NASA-s, Randy Bresnik.

 

SLS ka një fuqi të madhe prej 39.1 megantonësh në momentin e nisjes. Kjo i bie që motorët e tij kanë fuqinë e nisjes të pothuajse 60 avionë supersonikë Concorde së bashku.

“Kjo raketë do të jetë më e madhe, më e zhurmshme dhe më impresionuese nga çdo raketë që keni parë deri më tani”, tha Lorna Kenna nga Qendra për Operacione Hapësinore, Jacobs.

 

Inxhinierët më herët thanë se janë të shqetësuar se si do t’i përballojë mbrojtja e kapsulës Orion temperaturat ekstreme me të cilat do të përballet kur të rihyjë në atmosferën e Tokës.

Orion do të kthehet në Tokë me një shpejtësi të madhe, me 38.000 kilometra në orë apo 32 herë më shpejt se shpejtësia e zërit.

Lëshimi i kësaj rakete drejt Hënës nuk është moment i rëndësishëm vetëm për NASA-n, por edhe për Agjencinë Evropiane të Hapësirës, e cila ka krijuar modulin e shërbimit të Orionit. Ky modul gjendet në pjesën e pasme që shtyn kapsulën drejt hapësirës.

 

Me këtë kontribut, Agjencia Evropiane e Hapësirës shpreson që në të ardhmen të përfshijë në udhëtimet drejt Hënës edhe qytetarë evropianë.

Për herë të parë në Hënë, Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin shkelën në vitin 1969, në kuadër të programit Apollo, duke nisur të ashtuquajturën epokë të artë të eksplorimit të hapësirës.

 

Por, misionet e reja të NASA-s pritet të jenë më ndryshe sesa të programit Apollo, pasi agjencia amerikane dëshiron që të dërgojë në Hënë gruan e parë dhe personin e parë me ngjyrë, duke treguar se eksplorimi i hapësirës është i hapur për të gjithë./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *