E enjte, 1 Tetor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 19:00 Në vijim ora 19:00: Lajme Ora 19:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 30 minuta më parë
Video · Vendi

Pritet miratimi i rezultatit nga KQZ, komisionet zonale dorëzojnë tabelat përmbledhëse

Teksa procesi i numërimit të votave brenda dhe jashtë vendit ka përfunduar, të gjitha KZAZ po dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dokumentacionet dhe tabelat e rezultateve.

KQZ bazuar në tabelat origjinale të administruara po harton përmbledhjen e rezultateve sipas qarqeve të cilat do të miratohen në përfundim nga komisioneri Ilirian Celibashi.

Reklamë

Sipas rregullores, pas miratimit të tabelave nga kryekomisioneri, subjektet politike kanë 48 orë kohë për ankimim të rezultatit në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve, në varësi të volumit të ankimimit dhe mundësisë së shqyrtimit në Kolegj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikon rezultatin përfundimtar.

Disa nga Partitë opozitare, konstestuan procesin zgjedhor, ndërsa jo pak nga kandidatët për deputet që nuk arritën të dilnin fitues drejtuan kërkesë për të marrë pamjet filmike nga KQZ.

Kontestimet mes kandidatëve nuk munguan as në Partinë Socialiste, ku nga disa pretendimet për rimonitorim të pamjeve filmike, e vetmja që nuk u tërhoq nga kërkesa dhe ka siguruar pamjet është Blerina Gjylameti. Ajo nuk arriti të siguronte një vend në parlament duke humbur me rezultat të ngushtë përballe koleges Olta Xhaçka.

Për të gjithë kandidatët fitues, kryesocialisti Edi Rama ka dërguar një mesazh mirënjohjeje për secilin prej tyre.

“Së pari, dua t’ju falënderoj te gjithëve për eksperiencën e një beteje politike te paharrueshme, ku secili e secila beri sa mundi dhe ku rezultati i përbashkët do mbetet ne historinë politike te Shqipërisë, e natyrisht edhe në historinë e Partisë Socialiste, si një sukses krejt i veçantë. Faleminderit!

Se dyti, dua t’i përgëzoj shume përzemërsisht te gjithë ata dhe ato që në fushën e hapur te betejës, u përpoqën me të gjitha forcat e tyre dhe u bënë fuqi e shtuar e Partisë Socialiste në çdo territor!

Urime megjithë zemër për ata e ato qe ia dolën të hyjnë në ekipin e legjislaturës së ardhshme”, shkruante Rama.

Rama nuk la jashtë vëmendjes edhe ata që nuk arritën të kalonin pragun e fitores

“Te gjithë atyre qe s’ia dolën u them shume sinqerisht se duhet të jenë jo vetëm krenarë, për pjesën e tyre të çmuar në fitoren e Partisë Socialiste, po edhe të bindur se në rrugën që vazhdon, me supersfiden historike të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kontributi i tyre do të jetë shume i nevojshëm.  Prandaj kokën lart te gjithë bashke motra e vëllezër, këtu nuk ka humbës po vetëm fitues!”, përfundon Rama.

Partia Socialiste siguroi mandatin e katërt qeverisës me një diferencë të theksuar ndaj opozitës me 83 mandate deputetësh./vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë