Ndarja e shkollës në turne për të ulur numrin e nxënësve në klasë e për të krijuar distancimin fizik, ka shqetësuar shumë prindër.
Disa institucione kanë zgjedhur t’i ndryshojnë oraret e turneve nga java në javë në mënyrë që të mos jenë të njëjtat klasa që e zhvillojnë mësimin vetëm paradite. Por kjo ka shkaktuar pakënaqësi.
Një pjesë e prindërve nuk e kanë mundësinë e përcjelljes apo marrjes nga shkolla te fëmijëve për shkak të orareve të papërshtatshme për ta. Nga ana tjetër është e vështirë krijimi i një rutine për nxënësit.
Për këtë arsye, shoqërimi nga gjyshërit është një zgjidhje për një pjesë të fëmijëve.
Specialistët pranë drejtorisë së përgjithshme të arsimit parauniversitar sqarojnë se vendimi për përcaktimin e turneve i takon shkollës në bashkëpunim me këshillin e prindërve.
FIQIRI ÇIFLIKU
SPECIALIST DPAP
“Mësimi me turne nuk është alternativa më e mirë, por është e detyrueshme. Këshilli i prindërve me drejtoritë e shkollave vendosin radhët e turneve. Ka raste që e kërkojnë prindërit rotacionin, ka prindër që e kundërshtojnë. Unë do isha për turnet fikse. Prindi në bashkëpunim me shkollën e vendos si do procedohet në vijim me turnet. Unë personalisht jam për turnet fikse, të pandryshueshme.”
Ndërkaq, shqetësuese vijojnë të mbeten oraret e turneve të katërta, në institucionet pritëse të nxënësve që vijnë nga shkollat e dëmtuara nga tërmeti, mësimi i të cilëve mbaron rreth orës 20:00.