Në një mbrëmje festive, me praninë e partnerëve, medias, figurave publike dhe përfaqësuesve të biznesit, u prezantua zyrtarisht birra “Iliria”, produkti më i ri i kompanisë Eurolab Internacional Group.
“Iliria” vjen si birra e parë shqiptare premium, e krijuar për të sjellë një standard të ri në tregun vendas dhe për të përfaqësuar identitetin shqiptar përtej kufijve.
E frymëzuar nga trashëgimia Ilire dhe e konceptuar për konsumatorin modern, marka synon një brez të ri konsumatorësh. Me një profil të rafinuar shijeje, karakter të pasur malti dhe një balancë elegante, “Iliria” prezantohet si një lager modern që ruan lidhjen me origjinën dhe traditën shqiptare, duke sjellë një eksperiencë autentike dhe bashkëkohore.
“Për 30 vite me radhë kam sjellë në të gjithë rajonin, në Europën Juglindore, në 10 shtetet që punojmë, brande të cilat të gjithë ju që jeni prezent jeni konsumatorë dhe kjo është krenari absolute.
Për herë të parë kemi kaluar në produkte 100% “ Made in Albania”, ky është brandi i dytë që quhet “Iliria”. Ndaj ndihem krenar që e prezantoj para jush këtë brand, i cili do na shoqërojë për dekada dhe uroj të jetë ai që ju shoqëron çdo ditë në familjet tuaja dhe në festat e gëzimet tuaja”, tha Dritan Bellaj, themelues i “Eurolab”.
Prezantimi i “Iliria” sjell një markë të ndërtuar mbi standarde moderne prodhimi dhe një vizion të qartë për zhvillim rajonal dhe ndërkombëtar.





