Partia Socialiste do të publikojë emrin e kandidatit të saj për postin e Presidentit të Republikës.

 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ka deklaruar se sot pasdite do të bëhet publik emri i kandidatit që PS do të dërgojë në parlament si kandidat për president. “

Emri i presidentit do të diskutohet sot në Kryesinë e PS ku natyrshëm është marrë opinioni dhe i deputetëve. Por patjetër, grupi negociator dhe kryetari i partisë ka zhvilluar dhe konsultime më të ngushta në lidhje me profilin e duhur që do ti duhej vendit në këtë moment për të krijuar atë kontrastin aq të nevojshëm për rikthimin e legjitimitetit moral të Institucionit të Presidentit që është figura e Presidentit që qëndron mbi palët dhe respekton Kushtetutën. Do të thotë që patjetër të gjithë emrat janë në konsideratë, por natyrshëm grupi negociator dhe Kryesia e Partisë Socialiste, se në fund të fundit është Kryesia e PS që sot do të marrë një vendim në lidhje me propozimin përkatës. Më vonë do t’i kalojë grupit parlamentar ku do të bëhet një diskutim dhe me grupin parlamentar dhe natyrshëm do t’i nënshtrohet procesit të votimit dhe ne shpresojmë dhe jemi të bindur që do të kemi një president të zgjedhur shumë shpejt.

 

Gjiknuri nënvizoi se opozita e humbi shansin e saj për të propozuar kandidaturat e saj, ndonëse i pati të gjitha mundësitë. “PS i ezauroi të gjitha mundësitë e saj për dialog. Ju keni qenë dëshmitarë të propozimeve tona duke diskutuar me të gjitha Grupet parlamentare. Ia lamë atyre në dorë se si do ta formatonin grupin e tyre negociator, se si do të merrnin mendimin brenda opozitës për të dalë me një kandidat apo me disa kandidatë në tavolinë e negocimit. Fatkeqësisht preferuan më shumë konfrontimin para mediave që do ta quaja një lloj diplomacie megafone se sa negociata konkrete për emra konkretë. Praktikisht është një shans i humbur nga ana e opozitës dhe unë nuk kam se çfarë të shtoj më shumë s kjo tashmë është një fakt i kryer”, deklaroi ai.

 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste siguroi se presidenti i ri do të jetë një figurë dinjitoze për detyrën që do i besohet. “Nuk do të ishte etike për mua që të përmend emra. Emrat kanë qenë diskutim i brendshëm për aq kohë sa për emra flitet brenda një rrethi të mbyllur politik dhe kështu duhet të jetë. Nuk është e thjeshtë të luash me emra. Një nga defektet që unë do ja vija në dukje opozitës është që nuk qe e aftë brenda vetes të diskutojë për emra dhe të ulet në negociatë pa pasur nevojë për të bërë publik emrat. Sepse bërja publik e emrave shpesh herë dëmton procesin dhe vetë individët të cilët kanë emrat të lidhur me ta. Mendoj që s’do ishte etike nga ana ime dhe për aq kohë sa jemi brenda një forumi drejtues të PS dhe është forumi më i lartë, unë mendoj që aty do të diskutohen të gjithë emrat që janë hedhur, kanë dalë nga diskutimet, qoftë nga deputetët, qoftë nga diskutimet në nivele më të lartë te Kryetari i Partisë Socialiste. Pasdite në selinë e PS pas mbledhjes së Kryesisë do të mësoni dhe kandidatin që jam i bindur dhe mesazhi kryesor që do të doja të jepja është që do të jetë një kandidat shumë dinjitoz, që do ta bëjë siç duhet detyrën e presidentit, jo modelin që kemi parë në këto vite”, theksoi Gjiknuri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *