Presidenti i Serbisë, Alexandër Vuçiç gjatë një konference të përbashkët  për shtyp me Presidentin e  Parlamentit Europian, Antonio Tajani ka deklaruar se BE kërkon nga Beogradi një dokument ligjërisht detyrues me Prishtinën për njohjen e Kosovës pas të cilit mund të bëhet pjesë e unionit.

 

“Diskutuam shumë çështje me z. Tajani, duke përfshirë stabilitetin rajonal dhe sundimin e ligjit. Gjithashtu BE kërkon nga Beogradi që marrëveshja e ardhshme me Prishtinën duhet të nënshkruhet “përpara se Serbia ti bashkohet zyrtarisht unionit. Ne e vlerësojmë shumë faktin se PE, si një organ legjislativ i zgjedhur drejtpërsëdrejti që përfaqëson 400 milionë njerëz, pranon rëndësinë e zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor “.

 

Ndërsa presidenti i PE konfirmoi  mbështetjen e plotë të institucioneve të BE për integrimin e shpejtë evropian të Serbisë.

 

“Vizita ime sot përfaqëson një mesazh shumë të rëndësishëm për Serbinë dhe aspiratat e saj evropiane. Serbia është Europë dhe është korrekte që të gjithë njerëzit në Ballkan të jetojnë në paqe. Beogradi ka një rol shumë të rëndësishëm në Ballkan, duke shërbyer edhe si një urë për vendet e tjera.”

 

Tajani u takua edhe me kryeministren serbe, Ana Brnabic ku  vuri në dukje angazhimin e Brukselit në zgjerimin e BE-së me vendet e rajonit, si një nga prioritetet kryesore.

 

Presidenti i Parlamentit Europian u takua edhe me kryetaren e parlamentit serb Maja Gojkoviq, e cila duke komentuar situatën në Kosovë theksoi se krahas palës serbe edhe pala shqiptare duhet të jetë po aq e përkushtuar për zbatimin e marrëveshjeve, sidomos kur është fjala për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *