Subscribe

Presidenti i ri i Republikës së Maqedonisë Veriore do të zgjidhet në raundin e dytë, pasi asnjë prej tre kandidatëve nuk fitoi shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i votuesve në votimin e djeshëm, pra 904.066 vota.

 

Sipas rezultateve paraprake të publikuara në ueb faqen e KSHZ-së, kryeson kandidati presidencial i LSDM-së dhe Koalicionit Stevo Pendarovski me 42,85 për qind, i ndjekur nga kandidatja e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit Gordana Siljanovska Davkova me 42,24, ndërsa i treti është kandidati i mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Besa, Blerim Reka me 10,57 për qind.

 

Ndërkohë raundi i dytë i votimit do të mbahet më 5 maj, ku do të përballen dy kandidatët që janë klasifikuar të parët në zgjedhje, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska Davkova. Për një nga dy kandidatët për të marrë postin e presidentit të shtetit, të paktën 40 për qind nga gjithsej 1,808,131 votues të regjistruar në listën e zgjedhësve do të kërkohet që të votojnë 723,253 votues.

 

Kandidati për president i LSDM-së dhe koalicionit Stevo Pebdarovski pas përfundimit të raundi të parë të zgjedhjeve presidenciale tha se secili duhet të marrë pjesë në ndryshimet pozitive.

 

“Koncepti së bashku do të fitojë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 5 maj. Është e qartë, shumica e qytetarëve, maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, boshnjakë, vllehë, romë, të tjerë…janë prononcuar se dëshirojnë Përpara. Kjo është pjesa tjetër e konceptit të suksesshëm për të gjithë ne dhe për shtetin tonë”

 

Oponentja e tij Gordana Siljanovska Davkova theksoi se legjitimiteti i qeverisë buron nga populli, dhe ky pushtet, siç tha ajo, e harxhoi atë në 2,5 vjet dhe për këtë arsye zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të nevojshme.

 

Ndërsa kandidati shqiptar Blerim Reka, zgjedhjet i vlerësoi si korrekte, të lira dhe demokratike, ndërsa theksoi se  nuk ka jehonë e madhe për shkak të listët së paazhurnuar zgjedhore e cila numëron rreth 1,8 milionë votues edhe pse, siç tha, nga vendi janë shpërngulur më shumë se 250.000 persona dhe numri real i votuesve është rreth 1,5 milionë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *