“Prania Besnike” do të shtrihet edhe në diasporë, Balla: PS do të forcojë komunikimin me emigrantët

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka njoftuar se nisma “Prania Besnike” do të shtrihet edhe te shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, përmes takimeve të drejtpërdrejta dhe komunikimit digjital.
Në një reagim në rrjetet sociale, Balla kujtoi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, ku sipas tij mbi 200 mijë shqiptarë nga diaspora morën pjesë në votim, ndërsa më shumë se 122 mijë prej tyre mbështetën Partinë Socialiste.
Ai theksoi se PS synon të mbajë komunikim të vazhdueshëm me bashkatdhetarët, pavarësisht vështirësive për të zhvilluar takime fizike në të gjitha vendet ku ata jetojnë.
“Më 11 Maj 2025 më shumë se 200 mijë shqiptarë në diasporë shprehën me votë vullnetin e tyre se kush duhet ta drejtojë Shqipërinë dhe kush duhet t’i përfaqësojë në Kuvend. Mbi 122 mijë bashkëatdhetarë mbështetën Partinë Socialiste, Edi Ramën për vizionin Shqipëria anëtare e Bashkimit Europian. Ndaj Prania Besnike do të marrë formë edhe për vëllezërit dhe motrat tona në diasporë. Sigurisht është e pamundur ta bëjmë këtë sy më sy kudo ku janë. Por sa të mundemi, aty ku mundemi, shtuar dhe mundësitë e komunikimit digjital, do ta shtrijmë Praninë Besnike edhe në diasporë. Dhe mos harroni ka vetëm një forcë politike besnike: Partia Socialiste e Shqipërisë”, shkruan Balla.

Në fund të reagimit, ai e cilëson Partinë Socialiste si forcën politike besnike, duke përsëritur mesazhin politik të kësaj nisme.




