Subscribe

Dy punonjës policie në Fier u arrestuan nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi akuzohen për “shpërdorim detyre”.

 

Në pranga përfundoi, specialisti i krimeve Spartak Gjiçali dhe efektivi Roland Ndreko. Ndalimi u bë pasi dyshohet se ata kanë lejuar kultivimin e kanabisit në fshatin Mujalli.

 

Së bashku me dy efektivët e policisë, u arrestuan dhe Sejdi Genica dhe Vezir Genica, ndërsa u shpallwn në kërkim Robert Bego i njohur ndryshe dhe me emrat Fatmir dhe Xheki Qelia, si edhe Elez Qelai.

 

Ndaj tyre rëndon vepra penale e “Kultivimit të bimëve narkotike”.

 

Këta persona, sipas policisë, dyshohet se janë bashkëpunëtor të trafikantëve që kishin mbjellë kanabis në parcelat me misër në afërsi të fshatit Muajlli në Fier. Emrat e tyre dolën gjatë hetimeve të thelluara.

 

Parcelat me drogë u zbuluan nga policia pas ndjekjes së një makine tip “ford” ku dy prej trafikantëve kishin ngarkuar 83 kilogramë kanabis. Gjatë tentativës së arratisë, mjeti i trafikantëve humbi kontrollin dhe përfundoi në një kanal me ujë.

 

Në total numri i të arrestuarve për këtë rast ka shkuar në gjashtë persona ndërsa janë në kërkim 6 të tjerë.

 

Drejtoria Rajonale e AMP-së Fier-Berat ka ekzekutuar Urdhrin e Prokurorisë në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier, pas Vendimit datë 24.11.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier mbi caktimin e masave të sigurimit personal për dy punonjës policie të Komisariatit të Policisë Fier, si edhe katër shtetasve të tjerë, si më poshtë vijon;

 

– S. GJ., me funksion Specialist për Krimet në Komisariatin e Policisë Fier, me masë sigurimi personal “Arrest me burg”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

 

– R. N., me funksion Ndihmës Specialist (SPZ) në Komisariatin e Policisë Fier, me masë sigurimi personal “Arrest me burg”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

 

– S. G., me masë sigurimi personal “Arrest me burg”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”.

 

– V. G., caktuar me masë sigurimi personal “Arrest me burg”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”.

 

– R. B. (alias F. Q. dhe XH. Q.), me masë sigurimi personal “Arrest me burg” ”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”. Ky shtetas u shpall në kërkim, pasi nuk u gjet në banesë.

 

– E. Q., me masë sigurimi personal “Arrest në shtëpi”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”. Ky shtetas u shpall në kërkim, pasi nuk u gjet në banesë.

 

Ekzekutimi i masave të sigurisë për shtetasit e mësipërm u krye mbështetur në materialet e kallëzimit të referuara nga Drejtoria Rajonale e AMP-së Fier-Berat, pasi në datë 20.07.2022 janë gjetur dhe konstatuar të kultivuara një sasi bimësh narkotike në fshatin Mujalli-Fier, për të cilën Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka regjistruar Procedimin Penal Nr.828/2022.

 

Nën drejtimin e Prokurorit të çështjes janë kryer veprime hetimore duke përdorur edhe mjete të posaçme, proces nga i cili u dokumentua autorësia e veprës penale të dyshuar, si ndaj shtetasve, ashtu edhe ndaj punonjësve të policisë, të cilët me veprimet dhe mosveprimet e tyre favorizuan këtë veprimtari të paligjshme.

 

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *