Partia Popullore Evropiane, grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, ka mbërritur në Shqipëri për një mision faktmbledhës në lidhje me standardet e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit të vitit të kaluar. Delegacioni drejtohet nga sekretarja e përgjithshme e Partisë Popullore Evropiane, Dolors Montserrat, dhe për më shumë se dy orë ata qëndruan në selinë e Partisë Demokratike, ku diskutuan me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, deputetët dhe të zgjedhurit e PD-së në pushtetin vendor për problematikën e zgjedhjeve në Shqipëri.
Në përfundim të takimit, Sali Berisha preferoi të mos japë detaje për bisedimet, por sqaroi se standardet e zgjedhjeve dominuan bisedën.
“Nga ky mision i rëndësishëm presim një përpjekje të re të madhe. Njëherë presim rekomandime, sepse këta vijnë për të na bërë rekomandime, ne jemi anëtarë. Por ne presim njëkohësisht edhe një mbështetje të re për kërkesat tona tashmë të njohura që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira, që shteti ligjor të funksionojë, tha kreu i PD.
Berisha vuri në dukje se ky takim zhvillohet në një moment të rëndësishëm për vendin.
“Natyrisht, vijnë në një kohë shumë kritike, kur Edi Rama faktikisht ose de facto ka asgjësuar sistemin e drejtësisë në kuptimin e akuzës për zyrtarët e lartë, gjë që është themelore në kuptimin e ndëshkimit të zyrtarëve të lartë që vjedhin qytetarët. Edi Rama po mbron veten e tij, po paraqitet sikur po mbron Lubinë, e falënderon që pranoi refuzimin e dorëheqjes nga Rama, por ai ka faktuar me qëndrimet e tij para të gjithë shqiptarëve, u ka faktuar të gjithë komunitetit ndërkombëtar se është një hajdut i paskrupullt dhe se është në përpëlitjet e fundit për të mbrojtur vjedhjet, plaçkitjet që ka bërë”, shtoi Berisha.
Takimin e parë misioni i Partisë Popullore me 30 përfaqësues nga shumica e partive anëtare të këtij grupimi e zhvilluan me ambasadorët kryesorë në vendin tonë: ambasadorin e BE-së, OSBE-së, ambasadorin gjerman, italian dhe të ngarkuarën me punë të Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Ata takuan, përveç përfaqësuesve të PD-së, edhe kryetarët e partive të vogla në opozitë, përfshi edhe partitë e reja të Agron Shehajt dhe Adriatik Lapajt. Pjesë e axhendës së Partisë Popullore Evropiane në Tiranë janë edhe takime me KQZ-në, median dhe shoqërinë civile.
Partia Demokratike është anëtare e Partisë Popullore Evropiane, e cila është grupimi më i madh politik në BE, dhe pjesë e saj janë kryeministri i Gjermanisë, i Greqisë, i Austrisë, i Luksemburgut etj.
Pak javë pas zgjedhjeve parlamentare, kryetari i PD-së, Sali Berisha, kërkoi në Bruksel ndihmën e Partisë Popullore për një mision që të fokusohej vetëm te standardet e procesit të 11 majit, i cili sipas tij ishte farsë elektorale./vizionplus.tv





