Subscribe

Edhe pse dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, qeveria ka vendosur që të autorizojë Ministrinë e nfrastrukturës të japë me koncesion Triportin në Vlorë.

 

Ky vendim është publikuar në Fletoren Zyrtare. Bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës do të jetë edhe ajo e Bujqësisë që do të merret me këtë procedurë, pasi aktualisht ky port shërben për peshkim, shkruan “Vizion Plus”.

 

Forma që do të negociohet është ajo me partneritet publik privat thuhet në vendim.  Aktualisht ky është një port jashtë standardeve dhe nuk ofron infrastrukturën e nevojshme për peshkatarët.

 

Burime për “Vizion Plus” nga Ministria e Infrastrukturës thonë se synimi është që Triporti i Vlorës  të shndërrohet në port mallrash dhe peshkimi, ndërsa porti aktual në këtë qytet  të behet një port turistik.

 

Nuk dihet ende arsyeja pse qeveria vendos ta zhvillojë këtë port me koncesion, pasi me fonde të qeverisë italiane në total janë 25 mln euro që do të investohen për të modernizuar tre portet e peshkimit në vend, i Vlorës, i Durrësit dhe i Shëngjinit. Sipas të dhënave janë hartuar dhe projektet përkatëse, ku vetëm për Triportin në Vlorë nevojiten 14. 5  milion euro për ta rindërtuar nga e para.

 

Por burime pranë Ministrisë së Bujqësisë thonë se koncesioni do të prekë një pjesë të këtij porti kryesisht shërbimet për mallrat. Vlora është rasti i dytë, pas atij të Durrësit që qeveria synon të ndërtoje port turistik duke i zhvendosur shërbimet portuale në një zonë tjetër.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *