Leonard Luzi, i akuzuar se ka porositur vrasjen e Ervis Matodashajt dhe Inez Hajrullës, u ekstradua nga Spanja.
47-vjeçari nga Vlora u dorëzua nën masa të rrepta sigurie tek autoritetet shqiptare, pasi ishte vënë në pranga në korrik të këtij viti në Spanjë.
Lexo edhe :
Leonard Luzi, i njohur ndryshe edhe me emrin Leonard Sejno, u arrestua nga policia në Madrid thuajse një vit pasi kishte planifikuar atentatin ndaj Hajrullës dhe Matodashajt për të marrë hak për vrasjen e kushëririt të tij.
Ai kishte urdhëruar Amarildo Nikollin në gusht të vitit 2023 që të ekzekutonte Ervis Matodashajn dhe të fortin e Vlorës, Inez Hajrullan.
Ervis Matodashaj është një nga personat e akuzuar për vrasjen e Erigert Zejnos, kushëri i Leonard Luzit, në vitin 2013.
Vrasja e tyre në shenjë hakmarrjeje u parandalua pasi policia arrestoi në gusht 2023 Amarildo Nikollin me pistoletë gati për qitje.
Pas arrestimit ai zbërtheu planin për vrasjen e Inez Hajrullës dhe Ergys Matodashajt. Pas rrëfimeve të bëra përpara hetuesve, Amarildo Nikolli mori statusin e të penduarit të drejtësisë dhe tashmë dosja penale ndaj tij po trajtohet nga SPAK.
Po me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme për dy atentatet e dështuara, në pranga është vënë Muharem Koroveshi./vizionplus.tv






