Qeveria polake po negocion një mbyllje të përkohshme të kufirit të saj të përbashkët me Ukrainën, në mënyrë që prodhimi ukrainas agro-ushqimor të mos destabilizojë më tregun polak, njoftoi të mërkurën kryeministri Donald Tusk.

Ndërsa fermerët polakë vazhdojnë protestat e tyre kundër fluksit të shtuar të ushqimit nga Ukraina, Tusk u zotua të zgjidhë çështjen duke arritur një marrëveshje me Kievin në mënyrë që prodhimi ukrainas agro-ushqimor të mos destabilizojë më tregun polak.

“Ka mbi 20 milionë tonë drithë të tepërt në magazina në Evropë dhe nëntë milionë tonë tepricë në Poloni”, tha Tusk në konferencën për shtyp.

Ai tha se qeveria e tij po diskutonte me Ukrainën mundësinë e mbylljes së përkohshme të kufirit për tregtinë, për të cilën ai tha se ishte një zgjidhje legjitime, por e dhimbshme për të dyja palët.

“Polonia ka një suficit tregtar me Ukrainën, ne i shesim Ukrainës shumë më tepër sesa marrim nga Ukraina,” tha ai.

Megjithatë, “disa grupe kanë interesa të ndryshme, disa përfitojnë nga fakti që Ukraina mund të tregtojë (me BE-në) pa tarifa doganore, disa fitojnë shumë prej saj, por shumica humbasin shumë”, shtoi ai.

Tusk do të diskutojë zgjidhjen me drejtuesit e grupeve të fermerëve protestues, përfshirë ata që bllokojnë kufirin me Ukrainën, në një samit bujqësor që ai ka thirrur të enjten.

Ai tha se është i gatshëm të marrë vendime në lidhje me kufirin ukrainas, “por gjithmonë në marrëveshje me Kievin, për të shmangur tensionet e panevojshme”.

Muajin e kaluar, Komisioni Evropian vendosi të pezullojë detyrimet e importit dhe kuotat për eksportet e Ukrainës në BE deri në mesin e vitit 2025, një veprim i kundërshtuar fuqishëm nga fermerët polakë.

“Duke liberalizuar tregtinë me Ukrainën, Komisioni Evropian ka minuar parashikueshmërinë e të gjithë sektorit bujqësor evropian,” tha Andrzej Danielak, kreu i Unionit Polatik të Mbarështuesve dhe Prodhuesve të Shpendëve, për Euractiv Poland.

Të martën, mijëra fermerë u mblodhën në Varshavë për një protestë të madhe kundër Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe rritjes së importeve nga Ukraina.

Disa kërkuan tërheqjen e Polonisë nga BE, ndërsa të tjerë kërkuan një mbyllje të plotë të kufijve të Ukrainës. Tusk i hodhi poshtë këto kërkesa.

“Unë nuk jam kryeministri që do ta detyronte Poloninë të largohej nga Bashkimi Evropian ose të bllokonte kufirin me Ukrainën”, theksoi ai.

Ai tha se Polonia ishte e gatshme të diskutonte kuotat e importit për ushqimin ukrainas në BE, megjithëse ato të propozuara nga Brukseli ishin të papranueshme për Poloninë.

“Kuotat janë një zgjidhje e mirë, por ato duhet të jenë proporcionale për të gjitha vendet, në mënyrë që të shmangim një situatë në të cilën të gjitha kuotat hyjnë vetëm në tregun polak”, tha Danielak.

Ai ra dakord se qeveria duhet të veprojë në marrëveshje me Kievin dhe se vendimet radikale të marra pa konsultim nuk do të bëjnë mirë për asnjërën palë.

“Ne si fermerë do të preferonim që problemi të zgjidhej në një mënyrë që do t’i linte të dyja palët të kënaqura dhe të mos çonte në përshkallëzimin e tensioneve midis Varshavës dhe Kievit,” shtoi ai./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *