Në prag të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, vëmendja e opinionit publik është përqendruar tek ndryshimet që pritet të ndodhin në qeverinë Rama.
Analisti Namir Lapardhaja, në një lidhje me Edicionin Qendror të Lajmeve në Televizionin Kombëtar Vizion Plus, të moderuar nga Aleksandër Furxhi, zbuloi se çfarë pritet të ndodhë në qeverinë e re.
Ai nënvizoi se do të jetë një qeveri më tepër me teknokratë se sa me politikanë.
Sa i përket listës me emrat e përfolur në rrjetet sociale, Namir Lapardhaja u shpreh se janë më shumë për të krijuar zhurmë, sesa të vërteta.
Analisti shtoi se në Kuvend, edhe këtë vit, do të mbizotërojë kaosi i shkaktuar nga Partia Demokratike.
Intervista e plotë:
Çfarë pritshmërish ka në opinion nga asambleja e Partisë Socialiste. Si mendon?
Lapardhaja: Të gjithë janë duke pritur asamblenë e Partisë Socialiste dhe emrat që do nxjerrë Rama për qeverinë e re. Gjithçka që do të ndodhë do jetë vetëm një noterizim i 11 majit. Rama ka një mazhorancë thuajse absolute. Ajo që mendoj se do të jetë e re është që do të kemi një qeveri më tepër me teknokratë se sa me politikanë. Për shkak edhe të ambicieve dhe objektivave që ka dhënë Rama, që ka të bëjë edhe me integrimin evropian të vendit.
Sot qarkulloi në rrjetet sociale një listë potenciale e qeverisë së re. Çfarë mendon për këta emra që po përflitet?
Lapardhaja: E kam parë atë listë. Jam kundër kësaj qasje, se ajo listë dhe të gjithë ata emra nuk tregojnë asgjë. Rama e ka treguar se dhe vetë ministrat e marrin vesh në ditën e shpalljes së asamblesë së PS. Ata emra janë thjesht për zhurmë mediatike dhe duken ndonjëherë sikur janë të shtyra vetë nga partia për të nxjerrë emra që të përfliten. Në partitë politike si në PS dhe PD, ka rezultuar që ato emra që përfliten janë emrat që nuk gjenden në listën përfundimtare.
Më 12 shtator nis parlamenti. Çfarë mund të mbizotërojë në këtë klimë të re në sallën e parlamentit?
Lapardhaja: Do mbizotërojë kaosi. Për shkak edhe të situatës ku ndodhet opozita, do mundohet të krijojë problem. Ndoshta do shohim edhe skenarë të kaluar me djegie karrigesh apo me tentativa për të bllokuar seancat plenare. Por për mazhorancën do jetë më e lehtë se do i kalojë ligjet në mënyrë më të shpejtë, pa debat. Për sa kohë që Partia Demokratike nuk po gjen forcën për të analizuar vetveten do krijojë këto lloj inskenimesh që prodhojnë dhunë, por jo politikë.
/vizionplus.tv





