Nisur nga fluksi shumë i madh i automjeteve në të gjitha akset rrugore, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash shtesë, duke rritur akoma më shumë prezencën e shërbimeve të policisë në akset kryesore nacionale, zonat urbane dhe në akset kryesore rurale, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

 

Edhe përgjatë ditës së sotme në të gjitha akset rrugore nga Rruga e Kombit deri në Sarandë apo në drejtim të Korçës e malit të Tomorrrit në Berat janë konstatuar nga shërbimet e policisë që monitorojnë qarkullimin nëpërmjet radarëve shumë drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi  tej normave të lejuara, shpejtësi që janë rrezik potencial për tu përfshirë në ngjarje rrugore aq më tepër në fluksin mjaft të lartë të automjeteve në rrugë.

 

Vetëm 24 orët e fundit janë pezulluar 44 leje drejtimi për shpejtësi nga 128 km/h në rrugën Interurbane Tiranë -Tuneli i Krrabës e deri në 202 km/h në Bypass-in e Fierit.

Shtetasi E.L,  nga Tirana qarkullonte me mjetin e tij nga Fieri në Vlorë me shpejtësi 202 km/h i konstatuar nga radari i Policisë Rrugore Fier në Bypass-in e Fierit. Drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhërit të punonjësve të policisë për të ndaluar dhe ka vijuar me shpejtësi në drejtim të Vlorës ku dhe është ndaluar në hyrje të Vlorës nga shërbimet e Policisë të DVP Vlorë. Drejtuesi i mjetit është ndëshkuar me masë administrative 24.000 lekë të rinj dhe me pezullim të lejes së drejtimit për 12 muaj si dhe zbritje 8 pikë nga leja e drejtimit.

 

Gjithashtu janë pezulluar dhe 33 leje drejtimi  për drejtim mjeti nën efektin e  alkoolit apo në gjendje te dehur. Janë arrestuar 13 drejtues mjetesh nga të cilët 8 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 5 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

 

Shtetasi H.B., 30 vjeç, nga Saranda , duke zbritur nga Mali i Tomorrit me automjetin tip “Nissan” dhe me katër pasagjerë, rreth orës 15:00 të ditës së sotme është konstatuar nga shërbimet e Policisë Rrugore Berat duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë dhe gjatë kryerjes së alkooltestit rezultoi se drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në masën testi i parë 0.85mg/l dhe testi i dytë 0.91 mg/l, i cili u arrestua në kushtet e flagrancës.

 

Po gjatë 24 orëve të fundit  janë ndëshkuar me gjobë 1553 drejtues mjetesh për shkelje që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *