Policia Rrugore, kontrolle të shtuara me qëllim ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve, për shlyerjen e masave administrative të prapambetura.

 

Kontrollet janë përqendruar në akset interurbane dhe në qendrat e banuara, për evidentimin e debitorëve të gjobave, si dhe për rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë.

 

Në zbatim të planit të masave “Për evidentimin e gjobave të papaguara dhe masa shtesë për vjeljen e tyre”, të hartuar nga Sektori i Policisë Rrugore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, gjatë paradites së sotme, janë ngritur 3 pika kontrolli për këtë qëllim. Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të kryera në terren, janë vjelë 221 masa administrative të pashlyera nga drejtuesit e mjeteve, me vlerë 400.700 lekë.

 

Këto kontrolle do të vijojnë intensivisht në të gjithë qarkun, deri në datën 31.08.2022.

 

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të paguajnë gjobat brenda 5 ditëve nga vendosja e tyre, në mënyrë që të përfitojnë uljen 20% nga vlera e gjobës. Me kalimin e afatit 5-ditor, vlera e gjobës shtohet me 2% kamatë për çdo ditë vonese. Pas një muaji nga data e vendosjes së gjobës, Policia ka detyrim ligjor që të bllokojë mjetin, deri në pagesën e gjobës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.