Në kuadër të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë sezonit turistik veror, strukturat e Policisë së Lezhës kanë intensifikuar kontrollet në zonat turistike, me fokus të veçantë në kontrollin e ndotjes akustike.
Në vijim të fushatës sensibilizuese, janë zhvilluar disa takime informuese me persona fizikë dhe përfaqësues biznesesh, të cilët ushtrojnë veprimtari që mund të gjenerojnë zhurma, kryesisht nga muzika në ambiente të hapura.
Sipas Planit të Masave për garantimin e sigurisë publike, janë ngritur grupe kontrolli në bashkëpunim mes strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Lezhë. Këto grupe, bazuar në hartëzimin e zonave me ndotje akustike, kanë kryer matje të nivelit të zhurmës me pajisje të posaçme.
Matjet e kryera, në përputhje me kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, të ndryshuar, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.
Gjithashtu, janë ushtruar kontrolle për respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00, në zona apo qendra të banuara.
Policia e Lezhës thekson se do të vijojë kontrollet në mënyrë të pandërprerë, me qëllim garantimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për pushuesit dhe komunitetin lokal në Shëngjin.





