Policia e Kosovës ka mohuar pretendimet e mediave serbe se mbrëmjen e djeshme ka plagosur një person në veri të vendit. Përmes një sqarimi në rrjetin social Facebok, Policia e Kosovës deklaron se nuk është e përfshirë në gjuajtjen me armë ndaj asnjë qytetari, ndryshe nga se shkruhet nga mediat e vendit fqinj.

 

Në njoftimin e publikuar theksohet se uniformat blu janë informuar për plagosjen me armë zjarri të një personi në veri të vendin dhe ka shkuar në vendngjarje.

 

Sipas verifikimeve rezulton se personi është plagosur në kraharor, në rrethana ende të paqarta.

 

 

“Policia e Kosovës me datë 10.04.2023 rreth orës 23.48 ka pranuar një informacion lidhur me dyshimet për plagosje me armë zjarri, të një personi në veri të vendit.

 

Njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore lidhur me hetimin dhe verifikimin e informacionit të pranuar, duke përfshirë edhe dërgimin e një njësie policore në spitalin e Mitrovicës Veriore.

 

Nga aty kanë pranuar informacione se gjendet duke u trajtuar një person, i cili dyshohet se është plagosur në kraharor nga arma e zjarrit, por që deri më tani ende nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e plagosjes së tij”, thuhet në njoftim. “Andaj edhe shkrimet, apo pyetjet e adresuara Policisë së Kosovës nga disa mediume serbe, se kinse Policia e Kosovës është përfshirë, apo në formën e pyetjes se a është përfshirë në gjuajtje me armë dhe plagosje të një personi te ura e Bistricë në komunë të Leposaviqit, ju informojmë dhe njëherit ritheksojmë se Policia e Kosovës, nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo gjuajtjes me armë zjarri, në asnjë lokacion në veri të Kosovës, përfshirë edhe lokacionin e apostrofuar”, thekson policia.

 

Policia e Kosovës kërkoi gjithashtu që mediat të verifikojnë lajmin nga burime pranë tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *