Policia e Dibrës monitoron me dron shoferët, 2 të arrestuar, mbi 1300 gjoba

Policia Rrugore në Dibër ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore të qarkut, përmes monitorimit me dronë, radarë dhe makina inteligjente, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.
Gjatë javës së parë të muajit nëntor, si rezultat i kontrolleve, janë arrestuar dy persona për drejtim të automjetit në gjendje të dehur, ndërsa një tjetër është proceduar penalisht në gjendje të lirë për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe janë vendosur 1350 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Sipas Policisë, shkeljet më të shpeshta kanë qenë parakalimet e gabuara, ndalimi dhe qëndrimi i parregullt i automjeteve, drejtimi nën efektin e alkoolit dhe përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit.
Kontrollet do të vijojnë në të gjitha rrugët e qarkut, ndërsa Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të tregojnë kujdes të shtuar për të shmangur aksidentet.




