Subscribe

Lulzim Basha u ndal në Shkodër në turin e tij me anëtarësinë pas humbjes së zgjedhjeve.

Kreu i Pd e quajti 25 prillin, vjedhjen më të madhe në historinë e pluralizmit.

 

Sipas tij ka vetëm një regjim Rama-Doshi që vodhi zgjedhjet dhe të ardhmen e shqiptarëve ndërsa viktimat e masakrës elektorale, sipas Bashës, janë qytetarët shqiptarë.

 

 

Sot nga Shkodra e krenarise kombetare më vjen keq të pohoj se jemi në një nga skenat e krimit të 25 prillit. Këtu hileja e regjimit Rama-Doshi fshehu koncesionin e Partisë Socialiste si kamuflazh nën siglën e PSD-së. Por sikurse e dinë shkodranët dhe e gjithë Shqipëria, nuk ka PSD. Ka një ndërmarrje të përbashkët të Edi Ramës dhe të Tom Doshit për të fshehur nën siglën e kësaj ndërmarrjeje, të padëshiruarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk ka PSD, sepse ka tre kandidate të dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, që të tre drejtorë të Partisë Socialiste. Nuk ka as PSD, as PS, por është regjimi Rama-Doshi që bleu me paratë e grabitura të shqiptarëve mjerimin që j’ua ka shtruar në sofra çdo familje shkodrane dhe shqiptare. Të gjithë jemi dëshmitar se si i derdhën lumë paratë e korrupsionit dhe i përdoren banditët për të shantazhuar, intimiduar dhe blerë votuesit. Në mënyrën më të paimagjinueshme që nga kohërat më të egra të diktaturës. Dhe në fakt e pamendueshmja ndodhi këtu në Shkodër, ku për herë të parë në 30 vite Tom Doshi dhe banditët e tij detyruan të largohet dhe të mbyll mbledhjen një ambasadore perëndimore, pasi grabitën në sy të saj një të ri shkodran i cili pati guximin të ngrihej në këmbë dhe të thoshte: këtu po blen vota Tom Doshi.

 

 

Basha shtoi se Shqipëria pas zgjedhjeve te 25 prillit është edhe më keq, dhe zgjedhjet e vjedhura vetëm sa I thelluan plagët.

 

 

“Po sot Shqypni po më thuaj si je”- do të thoshte Pashko Vasa. Si është pra, Shqipëria pas 25 prillit? A është më  e mirë Shqipëria pas 25 prillit? A ka Shqipëria një parlament pa krim pas 25 prillit? A është më e bashkuar Shqipëria pas 25 prillit? A ka një të ardhme të qartë europiane Shqipëria dhe shqiptarët pas 25 prillit? Përgjigja është jo. 25 prilli jo vetëm nuk zgjidhi asnjë nga këto, por i thelloi plagët e vjetra të vjedhjes së zgjedhjeve e të aleancës së pushtetit me krimin të korrupsionit dhe të varfërimit të qytetarëve si pasojë e tyre. 

 

 

Kjo është arsyeja, shtoi Basha, pse ai është I vendosur që ta cojë betejen kundër Ramës deri në fund.

 

 

Në këto kushte ne kemi një dhe vetëm një detyrë, të vazhdojmë deri në fund betejën derisa e drejta për 25 prillin të jetë e qartë dhe e kthjellët si qielli. Të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur, të gjithë e dimë se forca dhe vullneti juaj bënë diferencën pavarësisht prej makinerisë shtetërore të bërë njësh me mafien, pavarësisht regjimit Rama-Doshi. Tani Shqipëria ndodhet në udhëkryq dhe është në dorën tonë dhe të askujt tjetër për të nxjerrë nga ky udhëkryq. Askush tjetër nuk ka forcën, pastërtinë, bashkimin për ta nxjerrë nga ky udhëkryq. Ndaj, sot kam ardhur t’ju për të vazhduar dhe për ta çuar së bashku deri në fitore betejën që kemi nisur.  Nëse jemi të vetëdijshëm për arritjet e kësaj beteje e cila ngriti peshë zemrat e shqiptarëve për ndryshim, nëse jemi të bashkuar, nëse jemi të gatshëm të pranojmë dhe të ndreqim ato që janë në dorën tonë të ndreqim, atëherë i kemi të gjitha mjetet për ta mbajtur të ndezur shpresën dhe pasionin për ndryshim të shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe të shkodranëve, i kemi të gjitha mjetet për ta flakur me çdo mjet një orë e më parë këtë pakicë plaçkitëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *