Kryeministri Edi Rama u ndal në shkollën “Hali Çoka” në Kamëz, në vijim të turit për konsultimin mbi kufizimin e përdorimit të platformës TikTok.
Shefi i qeverisë u shpreh se rrjetet sociale janë kthyer në një problem shqetësues jo vetëm për Shqipërinë.
“Sot ne ballafaqohemi me një problem që është ende i ri, jo vetëm për shqiptarët, por për shoqërinë njerëzore. Ne jemi duke i studiuar të gjitha aspektet. Jemi në këtë bashkëbisedim sepse priremi të besojmë që bllokimi i plotë i TikTok-ut, edhe për një sërë arsyesh që lidhen me gjuhën shqipe dhe pamundësinë për të pasur të njëjtat standarde si vendet e tjera, do të ishte një rrugë që të tjerët do ta ndiqnin, dhe për të hequr një shëmti të madhe nga duart e fëmijëve, si dhe për të pasur pak më shumë kontroll,” tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se po merren një sërë masash për të rritur perimetrin e sigurisë në institucionet arsimore.
“Nuk kemi asnjë zgjidhje nëse nuk ka përfshirje të shkollës dhe familjes, të dyja bashkë, në funksion të rritjes dhe formimit të perimetrit të sigurisë. Ne jemi duke bërë një plan të ri masash. Nuk jemi kujtuar tani për këtë, sepse rindërtimi i infrastrukturës dhe shkollave të reja ka qenë një përparësi e hershme,” shtoi kryeministri.
Kryesocialisti u ndal gjithashtu te figura e mësuesit, duke theksuar se autoriteti i tyre është ende në pikëpyetje. /vizionplus.tv





