Një prej të pandehurve për vrasje me paramendim që u nxor zbuluar për krimin e dyshuar nga shoku i dikurshëm, Nuredin Dumani, lëshoi akuza të forta ndaj tij brenda sallës së gjyqit.
Para togave të zeza Petrit Qoli tha se është i lumtur për krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, ndërsa rrëfimet e Nuredin Dumanit i konsideron baltosje.
Petrit Qoli: Si çdo shqiptar dhe ato të diasporës jam i lumtur për SPAK dhe GJKKO. Dumani si vrasës me pagesë shijon jetën jashtë sallës dhe ne baltosemi. Ai do Coca Cola, palestër dhe femra. Jam dobësuar 40 kg, jemi në burg kot. Jam 25 vite besimtar, prokuroria dhe gjykata mund të ma heqin baltën. Kam frikë se do vdes nga veremi jo nga burgu. Ai është mongol leshator, do bëhemi si Nuredini do vrasim 5-6 vetë dhe 5 milionë euro të groposura, dalim dhe marrim statusin.
Sot, Nuredin Dumani nuk ishte prezent në sallën e gjyqit, sipas tij, për arsye shëndetësore. Ky i fundit ka treguar për SPAK sagën e vrasjeve të 12 viteve të fundit, teksa për Festim Qolin, vëllain e Petritit, ka rrëfyer se është porositur që të ekzekutojë nënë e bir. Fjala është për vrasjet makabre të Elvis Dedës në 2012 e një vit më pas, edhe të së ëmës së tij, Fatmira Dedës.
Në dosjen e prokurorisë së Posaçme, Elvis Deda del se u vra pas konflikteve për një karburant, të cilin viktima e kishte në bashkëpronësi me Festim Qolin.
I penduari i drejtësisë tha se vrasjen e të ëmës së tij, e kreu së bashku me Talo Çelën, pasi ajo shfaqte interes të përditshëm në prokurori që t’i zbardhej vrasja e të birit.
Pasi e ndoqën, Nuredin Dumani dhe Talo Çela e inskenuan ekzekutimin e saj për ta bërë të dukej si grabitje.
Seanca e radhës u caktua në datën 4 – mars./vizionplus.tv





