Për herë të parë në seancën gjyqësore të dosjes së bujshme “Plumbi i Artë” është përmendur edhe emri i deputetit të PS që u vra në vitin 2009 Fatmir Xhindi.
Ishte Petrit Qoli, një prej të pandehurve i cili ka pyetur gjatë seancës Skerdi Tasen, nëse është ai personi që qëlloi në drejtim të deputetit të asaj kohe, Fatmir Xhindi i cili mbeti i vdekur pranë shtëpisë së tij, vrasje ende e pazbardhur.
“Mos jeni ju personi që keni qëlluar ndaj deputetit Fatmir Xhindi? Sepse ju keni thënë që të gjithë personat i keni qëlluar kanë qenë në 5 metra distancë, dhe Xhindi është vrarë nga kaq distancë? A shihni mirë nga sytë afër larg, se unë përshembull nuk shoh as afër as larg, dhe asnjëherë s’keni qëlluar në shenjë si ka mundësi”, deklaroi Qoli.
Ndërkohë në këtë seancë dy bashkëpunëtorët e drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Erion Alibej patën një përplasje në sallën e gjyqit. Alibej u pyet fillimisht nga avokatët e të pandehurve për masakrën e Bradasheshit.
Gjatë dëshmisë së tij, Erion Alibej tha se Nuredin Dumani nuk ia kishte pranuar më herët përfshirjen e të vëllait në masakrën e Bradasheshit, ku u ekzekutuan Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk.
“Nuredini nuk më pranoi që vëllai i tij të ishte në ngjarje. Nuk e di, mbase ishte ndonjë hatër mbetje me vëllain e tij”, tha Alibej.
Kjo bëri që Dumani të reagojë duke e paralajmëruar Alibejn që mos ta përmendë më.
“Ky është mashtrim zonja gjyqtare, mos e bej atë gabim mos e përmend më”, tha Dumani.
Pas kësaj trupi gjykes vendosi që Dumanin ta nxjerrin jashtë sallës./vizionplus.tv





