Policia e Tiranës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim Arbër Krrashi, autorin e dyshuar të plagosjes së Bledar Dautit dhe Dashamir Tahirit, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së martës, 8 shtator, në zonën e Laprakës.
Dy të plagosurit, 39 dhe 35 vjeç, u paraqitën në spital rreth orës 21:20, me plagë të dyshuara të shkaktuara nga arma e zjarrit. Ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore kryer nga specialistët e sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të plagosjes me armë zjarri, të shtetasve D. T. dhe B. D. (miq me njëri-tjetrin), rreth orës 21:20 të datës 08.09.2026, në Laprakë, u mundësua identifikimi i autorit të dyshuar të rastit, shtetasit A. K., 36 vjeç, banues në Tiranë.
36-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 2 shtetasve, për motive të dobëta, dhe është larguar me automjet.
Të dëmtuarit janë jashtë rrezikut për jetën.
Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit A. K”, njofton policia.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se mes dy personave të plagosur dhe autorit ka pasur një konflikt të hershëm. Për momentin, hetuesit nuk kanë mundur të përcaktojnë nëse takimi mes tyre ka qenë i rastësishëm apo nëse palët kishin lënë një takim për t’u sqaruar.
Një element që po vështirëson hetimin është fakti se dy të plagosurit nuk kanë dhënë deklarime para hetuesve lidhur me rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur motivin dhe dinamikën e konfliktit.





