Plagosi tre grekë dhe u arratis në Shqipëri, arrestohet “Nardi”, 39-vjeçari shqiptar me të shkuar kriminale

Një 39-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim nga autoritetet greke për “tentativë vrasjesje” është vetëdorëzuar në polici më 16 mars.
Sipas protothema.gr, fillimisht në polici është paraqitur avokati i 39-vjeçarit dhe më pas është vetëdorëzuar ai vetë.
Pas ngjarjes së përgjakshme të ndodhur në 2023, 39-vjeçari u arratis drejt Shqipërisë ku qëndroi për një kohë të gjatë.
Ngjarja ka ndodhur më 16 dhjetor 2023 në Gazi, ku të plagosur mbetën tre shtetas grekë të cilët ishin në një lokal nate.
Ngjarja e përgjakshme në Gazi
Më 16 dhjetor 2023, një grup prej gjashtë personash nga Kreta po argëtoheshin në Gazi pasi njëri prej tyre do të martohej në ditët në vijim. Pasi qëndruan në lokal gjithë natën, në orën 6:00 të mëngjesit dolën dhe shkuan për të ngrënë në një piceri.
Para picerisë kaloi një makinë në të cilën ndodhej shqiptari dhe një person tjetër. Pasi nisën të konfliktoheshin për motive të dobëta, 39-vjeçari nxorri armën dhe plagosi tre shtetas grekë.
E shkuara kriminale e 39-vjeçarit
Ai u identifikua pas ngjarjes në kuadër të hetimeve të policisë në Atikë.
39-vjeçari i njohur si “Nardi” ishte një nga anëtarët kryesorë të një prej gjashtë organizatave kriminale të zbërthyera nga Nëndrejtoria e Sigurimit të Athinës në kuadër të operacionit të madh policor me 50 të arrestuar dhe 187 identifikime./vizionplus.tv




