Përplasjet me policinë, Koçiu: Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje

Zv.kryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas përplasjes së sotme mes policisë dhe studentëve përballë Ministrisë së Arsimit.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Koçiu e cilëson dhunën në protestë mjaft të rëndë për shoqërinë shqiptare.
Sipas saj, degradimi në dhunë ndaj policisë është i orkestruar dhe i qëllimshëm.
Koçiu thekson se dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje.
Postimi i Koçiut:
E trishtë të shohësh se si kultura e protestës degradon në një dhunë të orkestruar dhe, me sa duket, të “provokuar” rëndë nga pllakat e trotuareve.
Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje. Zhurma e gurëve, sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe shkatërrimi i pakuptimtë i pronës publike, nuk janë gjuha me të cilën i ka hije rinisë të shprehet, por zakoni i vjetër i atyre që i përdorin të rinjtë për të mbuluar paaftësinë e tyre politike.




