Qeveria ka në dispozicion 1.5 miliardë lekë për parandalimin e fatkeqësive natyrore, nga të cilat 500 milionë lekë janë fond për kompensimin e qytetarëve që janë prekur nga përmbytjet.
Zëvendësministri i Bujqësisë, Fatmir Guri, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Aleksandër Furxhi, tha se aktualisht situata është shumë më e qetë krahasuar me ditët e kaluara.
Sipas Gurit, problematika kryesore ka qenë zona e grykëderdhjes së Semanit, por edhe aty situata po shkon drejt normalizimit.
Zv. ministri bëri të ditur se paralelisht me monitorimin në terren ka nisur edhe procesi i vlerësimit të dëmeve. Ai shtoi se pas këtij procesi do të fillojë edhe mbështetja e familjeve që kanë pësuar dëme nga gjendja atmosferike e këtyre ditëve.
Z.Guri theksoi se mbrojtja nga përmbytjet mbetet një nga prioritetet kryesore të financimit të Ministrisë së Bujqësisë, veçanërisht për mirëmbajtjen e argjinaturave dhe sistemeve të kullimit në Ultësirën Perëndimore.
INTERVISTA E PLOTË:
Cilat janë, sipas informacioneve më të fundit që keni, zoti zëvendësministër, pikat më të nxehta të situatës së përmbytjeve?
Fatmir Guri: Situata është në qetësim të vazhdueshëm. Kemi pasur një problematikë e cila lidhet me grykëderdhjen e Semanit, e cila edhe ajo po normalizohet në orët aktuale dhe do të ketë një normalizim të vazhdueshëm në orët në vijim. Përgjithësisht situata është shumë e qetë, është shumë më e qetëdhe nuk kemi më problematikat e acaruara të ditëve të kaluara.
I kemi tashmë shifrat e përgjithshme globale të asaj që Ministria e Financave dhe qeveria kanë caktuar menjëherë për këtë situatë emergjente, pra për planin e shpërndarjes e të tjera. Si mendohet të shpërndahen dhe kur do të jepen ndihmat?
Fatmir Guri: Së pari, ne jemi në terren për të ndjekur situatën së bashku me të gjithë aktorët e rëndësishëm, punonjësit e Ministrisë së Bujqësisë, por jo vetëm, edhe me punonjësit e bashkive përkatëse për të qëndruar pranë popullsisë për problematikat emergjente që mund të kenë në këto orë. Gjithashtu, në të njëjtën kohë ka filluar procesi i vlerësimit të dëmeve. Duhet të biem dakord që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ofron në ndihmë të bashkive ekspertët e saj, të cilët e njohin terrenin në mënyrë të detajuar për të ndihmuar në këtë proces, por janë bashkitë ato të cilat e drejtojnë procesin e vlerësimit të dëmit. Pas këtij procesi, në një moment të dytë, do të fillojë edhe mbështetja e familjeve të cilat kanë pasur dëme nga gjendja atmosferike e këtyre ditëve.
Në mënyrë periodike, ndoshta jo çdo vit, por situata të tilla të vështira përmbytjesh janë verifikuar në Shqipëri të paktën në 10-15 vitet e fundit. Të gjitha qeveritë, në një mënyrë apo në një tjetër, marrin masa duke ofruar fonde, mbështetje, duke premtuar sigurisht dhe duke kryer, sipas rastit, edhe investime për forcimin e argjinaturave apo ndërhyrje të tjera të këtij lloji. A mendohet një zgjidhje tjetër alternative që nuk është ajo e harxhimit të rregullt të fondeve për kompensim, dëmshpërblim dhe për ndërtime të pjesshme të argjinaturave? Ka ndonjë mënyrë tjetër?
Fatmir Guri: Në të vërtetë, ne jemi në një situatë në të cilën nuk mund të themi që ndryshimet klimatike do të ndodhin, pasi ato po ndodhin tashmë. Përmbytjet janë një pjesë e kësaj shfaqjeje, por jo e vetmja. Numri më i madh i ditëve me ngrica apo shtrëngatave, të cilat lëshojnë një nivel të lartë reshjesh për një kohë shumë të shkurtër, janë bërë gjithmonë e më të shpeshta. Nga njëra anë, mbrojtja nga përmbytjet është një prej drejtimeve kryesore të financimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe ajo duhet të vazhdojë. Për shkak të morfologjisë gjeografike, vendi ynë e ka të nevojshëm këtë proces, sidomos për faktin se një pjesë e rëndësishme e tokave të Ultësirës Perëndimore janë toka të bonifikuara, të cilat duhet të mirëmbajnë në mënyrë të vazhdueshme sistemet e kullimit. Nga ana tjetër, dhe kjo është gjithashtu shumë e rëndësishme, ne duhet të mendojmë edhe për instrumente alternativë. Në këtë drejtim, Ministria e Bujqësisë po zhvillon dhe së shpejti do të prezantojë para publikut legjislacionin për sigurimet bujqësore, të cilat ofrojnë një instrument të qëndrueshëm për të ruajtur stabilitetin e të ardhurave të fermerëve. Sigurisht që ky instrument, i cili do të bëhet efektiv në periudhat e mëvonshme, do të krijojë një qëndrueshmëri për fermerët, duke u mbrojtur pikërisht nga elementët ekstremë atmosferikë si ky që sapo kaluam.
/vizionplus.tv





