Kosova ka përkujtuar këtë 15 Janar viktimat e masakrës së Reçakut në fshatin Shtimë ku 27 vite më parë, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.
Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti, liderë të partive politike e qytetarë të shumtë u mblodhën në memorialin e viktimave në fshatin Reçak.
“Ne do vazhdojmë të mbrojmë të vërtetën jo vetëm këtu në Kosovë”, tha Presidentja Osmani.
Kryeministri Kurti u zotua se institucionet e vendit do të punojnë për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e masakrës.
“Jemi këtu bashkë, si krerë të institucioneve, me kryetarë të komunave dhe kolegë nga Qeveria e Parlamenti, por edhe zyrtarë të tjerë të shtetit, që të shprehim dhimbjen tonë për këtë plagë të hapur, së cilës ende i mungon drejtësia, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë që gjithmonë do të jemi të angazhuar për t’i sjellë kriminelët para gjyqit dhe për t’i ndëshkuar ata për mizoritë e para 27 vjetëve”, tha Kurti.
Në homazhe mori pjesë edhe ambasadori William Walker, shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë në kohë e luftës, i cili dokumentoi krimet e kryera në këtë fshat.
Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO sulmoi stacionet ushtarake policore në ish-Jugosllavi.
Fushata prej 78-ditësh bombardime mori fund në 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.





