Shumëkush është rritur me këta tinguj, por jo të gjithë e dinë se ato janë kompozuar nga Artisti i Merituar, Tish Daija. Pikërisht këtë shqetësim ngre edhe i biri i tij, Agustin Daija, i cili në 100-vjetorin e lindjes së kompozitorit shprehet se autorësia e veprave të të atit rrezikon të harrohet me kalimin e kohës.
Për të, ndonëse të atit iu desh të krijonte në kohëra të vështira dhe shpesh i kushtëzuar nga pushtetet e kohës, ai arriti të ruante ekuilibrin mes artit, familjes dhe profesionit, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar muzikore.
Kontributi i jashtëzakonshëm i Tish Daijës në zhvillimin e muzikës shqiptare, veçanërisht në fushën e baletit dhe muzikës simfonike, e bën atë një nga figurat themelore të kulturës kombëtare. Ai njihet gjerësisht si autor i baletit të parë shqiptar, “Halili dhe Hajria”, vepër që shënoi një etapë të re në historinë e artit skenik shqiptar.
Trashëgimia artistike e kompozitorit Tish Daija vijon të mbetet një burim frymëzimi për brezat e rinj të muzikantëve. Në nder të tij, këtë të mërkurë u përkujtua 100-vjetori i lindjes në një aktivitet të organizuar nga Akademia e Shkencave, i shoqëruar me interpretime nga krijimtaria e tij dhe një ekspozitë partiturash, duke rikthyer në kujtesë tingujt që formësuan identitetin e muzikës shqiptare./vizionplus.tv





