Dy javë para zgjedhjeve të 11 majit, në Vlorë fushata është mjaft intensive. Kandidatët nga dy kampet kryesore politike PS dhe PD, presin që të shënojnë një rezultat befasues, edhe pse në garë do të ndikojnë partitë e vogla.
Dy kandidatët, Klevis Kaso nga PS dhe Edmond Fetahu nga PD, flasin për pikat e forta në programet e tyre.
“Në makro, fushata ime bazohet në programin elektoral që PS ka, por edhe në aspektin tim personal kam disa pika siç janë të rinjtë e këtij qyteti. Duke krijuar startupe për ta, kam menduar fondin lokal të diasporës që do të jetë një risi për të gjithë Shqipërinë. Kam menduar edhe për turizmin, duke qenë se vij nga fusha e sportit, por jo vetëm.
Duke menduar që në përditshmërinë tonë si drejtues të këtij qyteti dhe si angazhim i PS dhe Ramës që Vlora të ketë një turizëm gjithëvjetor, unë mendoj që turizmi sportiv do të ishte një nga pikat kyçe që ky qytet ka.“, tha Klevis Kaso, kandidat i PS.
“Fushata ime bazohet në dy shtylla kryesore: e para është takimi direkt me njerëzit, e dyta bazohet në shpalosjen me këto takime derë më derë, në paraqitjen e programit, sepse besoj se programi i PD është i vetmi program që vë theksin aty ku duhet dhe aty ku janë plagët e thella të kësaj shoqërie. Dhe besoj që ky program është ilaçi më i mirë.“, shprehet kandidati i PD, Fatahu.
Por çfarë sheh secili prej tyre si avantazh ndaj kundërshtarit?
Profesori ka bërë zgjedhjen e gabuar që është në krahun e një partie humbëse në 11 maj. Unë kam energjinë e një djali që është angazhuar në shumë fusha dhe në sipërmarrjen që kam pasur. Të gjitha këto më kanë ndihmuar që të jem më afër qytetarëve, të jem dëgjues i mirë i problematikave të tyre, t’i adresoj dhe t’i zgjidh ato., sipas Kaso.
Avantazhet e para janë ato politike, Kaso përfaqëson PS që prej 12 vitesh është në pushtet, sepse problemet nuk mund t’i zgjidhë ai që i shkakton dhe këtë e shikoj si disavantazhin e tij. Zoti Kaso përfaqëson ose erdhi si nënkryetar i Bashkisë dhe ne shohim mosmenaxhim., tha Fetahu.
Dy kandidatët kanë edhe një bast për rezultatin e 11 majit.
Kaso: Kam drejtuar një rajon të rëndësishëm të qytetit politikisht, dhe më pëlqen që në politikë të bëj edhe analiza. Dhe mendoj që nëse vota e diasporës do të jetë ajo që PS ka parashikuar, por duke parë që përballë PD janë edhe dy parti të tjera të vogla, rezultati 9 me 3 nuk është thjesht ëndërr por shumë i arritshëm dhe mendoj që PS mandatin e katërt do ta marrë me një diferencë të madhe.
Fetahu: Për Vlorën ne shohim një rezultat befasues, bazuar në takimin me qytetarët. Do të jetë befasues: 6 me 6!
/vizionplus.tv