Subscribe

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se pjesa më e madhe e pensionistëve e kanë të pamjaftueshëm pensionin. Gjatë një takimi me të moshuarit në Vlorë, Basha tha se kështu nuk mund të vazhdohet më dhe kërkoi që në 25 prill gjërat të ndryshojnë.

 

“E di fare mirë se për 99.9% të pensionistëve shqiptarë pensioni është i pa mjaftueshëm. Po s’pati pak ndihmë nga fëmijët e ka të pa mundur të kaloj muajin. E ky është një problem që jo vetëm s’ka marr zgjidhje 8 vite me radhë, pensionin e ka rritur më pak se ç’është rritur inflacioni. Pra, më shumë janë rritur çmimet e ushqimeve bazë dhe konsumit të përditshëm, më shumë rritur kosto e jetës se ç’është rritur pensioni. Pyetja që duhet të marrë përgjigje më 2 prill nga Vlora dhe nga e gjithë Shqipëria është: A mund të vazhdohet kështu edhe një ditë të vetme? Jo! Kështu nuk vazhdohet më. Boll më kështu. Ka nevojë për ndryshim, një ndryshim që të sjellë shpresë.”

 

Sipas liderit demokrat, vendi sot ka nevojë për një kryeministër që është i ndjeshëm ndaj halleve dhe shqetësimeve të qytetarëve,

“Shqipëria është një vend me mundësi të jashtëzakonshme dhe nesër ju garantoj do të keni një qeveri dhe një kryeministër të përgjegjshëm që i njeh, i ka prekur hallet, dhimbjet, vuajtjet e njerëzve. Për ne prioritet absolut do të jetë ndihma financiare për të gjitha familjet e goditura nga kriza dhe të goditura dyfish nga pandemia natyrisht duke përfshirë dhe pensionistët, se ju me këto pensione mezi ia dilnit para pandemisë e jo më tani që duhet të bëni shpenzime shtesë për një maskë, një dezinfektant.”

 

Lulzim Basha tha se si fillim duhet të largohet e keqja dhe theksoi se diçka e tillë do të mundësohet nga koalicioni opozitar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *