Nga 1 tetori, pensionet do të indeksohen me 2.5% ose, thënë ndryshe, rreth 500 lekë më shumë për ata që marrin pension urban dhe rreth 300 lekë më shumë për ata që marrin pension rural.
“Norma e indeksimit 2.5% pasqyron rritjen e çmimeve për shportën e pensionistëve. Indeksimi është rregullim i pensioneve sa i takon çmimeve, jo rritje. Reforma e pensioneve është në proces, nuk është një vendim që mund të merret shumë shpejt. Ne kemi objektiv rritjen e pensionit minimal dhe atij mesatar”, tha Delina Ibrahimaj, Ministre për Ekonominë dhe Inovacionin.
Gjatë konferencës, ministrja Delina Ibrahimaj u ndal edhe te rritja e pagës minimale, duke shpjeguar se për biznesin do të ketë një periudhë lehtësimi nga kostot.
“Paga minimale do të shkojë në 50 mijë lekë, peshë më të ulët të kësaj rritje të shpenzimeve sepse për 18 muaj kostot për këtë rritje për bizneset nuk do të aplikohen. Gjatë 4-vjeçarit të ardhshëm ne kemi objektiv që paga mesatare të jetë 1000 euro.”
Ekonomia u rrit me 3.5% gjatë tremujorit të dytë të vitit, një ritëm më i ngadaltë se ai i të njëjtës periudhë të një viti më parë, kur rritja ishte afro 4%.
“Kërkesa e brendshme ka dhënë kontributin kryesor në rritje, u ndikua si nga konsumi, ashtu edhe nga investimet. U rrit konsumi i familjeve shqiptare, i popullatës. Pagat janë rritur në tremujorin e dytë, importi i ushqimeve tregon rritje. Ka rënie të sektorit të bujqësisë, i ndikuar nga prodhimi blegtoral. Është një sektor që duhet të rrisë produktivitetin, ndaj do të kemi vëmendje të shtuar duke vënë në dispozicion fonde për zhvillimin e kësaj fushe. Industria është paraqitur po ashtu me rënie për shkak të aktivitetit të industrisë nxjerrëse, sepse disa kompani kanë shfaqur ngadalësim.”
Po ashtu, ministrja njoftoi se së shpejti qeveria do të shpalosë një plan 3-vjeçar për të reduktuar përdorimin e parasë fizike dhe për të luftuar informalitetin.
/vizionplus.tv




