Opozita shfrytëzoi mbledhjen e konferencës së kryetarëve për të kërkuar përsëritjen e seancës plenare për miratimin e qeverisë dhe programit politik për 4 vitet e ardhshme.
Për shkak se Gazment Bardhi është përjashtuar nga Parlamenti për 10 ditë, përfaqësuesi i PD në mbledhje ishte Agron Gjekmarkaj.
“Kërkova ripërtëritjen e seancës, kërkova të mblidhet Komisioni i Legjislacionit që të shihet mundësia për mocion ndaj Peleshi, të anulohen dënimet absurde të një rregulloreje absurde të kësaj mazhorance për të dënuar deputetë e opozitës dhe të mos ketë asnjë pengesë për mediat në Kuvend”, tha Agron Gjekmarkaj.
Mbledhja e konferencës së kryetarëve u zhvillua për të miratuar anëtarët e komisioneve në mënyrë që Parlamenti të nisë punën, por opozita ende nuk ka çuar asnjë emër.
“Nga 3 grupet parlamentare të opozitës nuk kanë ardhur propozimet për kryesinë, 4 komisionet tepër të rëndësishme pas vendimit të Kuvendit i takojnë opozitës dhe 7 nënkryetarë i takojnë opozitës, duhet domosdoshmërisht që deri ditën kur do ketë seancë, të kenë ardhur”, deklaroi Taulant Balla.
Të mërkurën do të mblidhet Parlamenti për të miratuar anëtarët e komisioneve të Parlamentit, të cilat mund të funksionojnë edhe vetëm me anëtarët e PS.





