Pas aleatëve edhe PD atakohet me ambasadoren Vlahutin. Partia Demokratike përmes një deklarate të shpërndarë për mediat akuzon drejpërdrejt ambasadoren e BE në Tiranë, Romana Vlahutin për njëanshmëri, shtrembërim të së vërtetës dhe fshehje të fakteve. Në këtë deklaratë PD përgënjeshtron deklaratat e ambasadores Vlahun të bëra në takimin me kryetarët e Partive të vogla, sipas të cilës gjatë negociatave PD as nuk pranoi propozimet e PS dhe as nuk paraqiti propozime të vetat. Partia Demokratike sqaron në deklaratën e saj se gjatë negociatave demokratët paraqitën një draft me tre pika.

 

Më poshtë deklarata e PD

 

Partia Demokratike u informua sot nga aleatët opozitarë për qendrimin e sotëm të ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vlahutin, sikur Partia Demokratike gjatë pranisë së ndërmjetësuesve europianë në Tiranë ditën e martë, nuk pranoi propozimet e tyre dhe se nuk paraqiti kundërpropozime apo ofertë tjetër.

 

Partia Demokratike konstaton me keqardhje të thellë se ky është një shtrembërim total i të vërtetës, dhe fshehje e fakteve.

 

Pas paraqitjes të propozimit për zëvendësimin e 4 ministrave të qeverisë Rama me persona teknikë dhe shtyrjen e zgjedhjeve për datën 16 korrik, Partia Demokratike në emër të Opozitës së Bashkuar paraqiti një kundër-propozim me 3 pika, me qëllim arritjen e një kompromisi mes palëve:

 

  1. Ofertën që kryeministri i qeverisë teknike të propozohej nga mazhoranca aktuale.

 

  1. Përsa i përket datës së zgjedhjeve, oferta e PD ishte që të eksplorohej nëse zgjedhjet me votim elektronik, biometrik dhe numërimi elektronik do të mund të realizoheshin brenda tetorit. Nëse kjo do të rezultonte teknikisht e pamundur, të punohej për identifikimin biometrik të votuesve dhe numërimin elektronik të votës.

 

  1. Partia Demokratike rikonfirmoi qendrimin e bërë publik prej 10 javësh se menjëherë pas formimit të qeverisë teknike, opozita do të kontribuonte në parlament për zbatimin e plotë të procesit të Vetingut dhe reformës në drejtësi.

 

Pas paraqitjes së kësaj oferte për kompromis, Partia Demokratike u informua se Edi Rama e refuzoi këtë ofertë, duke cuar në përfundimin pa sukses të përpjekjes për ndërmjetësim.

 

Partia Demokratike shpreh shqetësimin e thellë për dezinformimin e partive të vogla parlamentare nga ana e ambasadores Vlahutin dhe thekson se qëndrime të tilla qartazi të njëanshme dhe dezinformuese nuk i shërbejnë aspak zgjidhjes së krizës, por përkundrazi ndihmojnë në thellimin e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *